Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka njoftuar se për shkak të shpërthimit të zjarreve në komunën e Gjakovës, është angazhuar edhe ushtria e Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.
“Shpërthimi i zjarreve në komunën e Gjakovës është shqetësues për shkak të shtrirjes në hapësirë shumë të madhe. Jam në kontakt me Kryetarin e Gjakovës dhe nga afër po e përcjellim gjendjen e krijuar. Janë mobilizuar zjarrfikësit e pesë komunave në rajon, si dhe Policia e Kosovës. Po ashtu, është mobilizuar me urgjencë një repart i ushtrisë në zonën e rrezikuar”, shkruan Haradinaj.
Sidoqoftë, për këto zjarre ka shkruar dje Reporteri.net, duke konfirmuar se era e ka shtyrë zjarrin edhe tej kufirit me Shqipërinë.
Ndërkaq, Luan Dinaj, drejtor i Drejtorisë së Emergjencave në Komunën e Gjakovës tha mbrëmë për Reporteri.net se ekipet mobilizuese të zjarrfikëseve gjenden në teren nga momenti kur janë lajmëruar se ka nisur djegia e maleve në këtë fshatra.
“Nëse nuk intervenohet edhe nesër zjarri i afrohet shtëpive, është 10 km në vijë zjarri . Sot jemi mobilizuar komplet skuadra e zjarrfikësve në Gjakovë, të cilat janë shpërndarë në tri grupe. Territori ku janë duke u djegur malet quhet Bokë dhe Qerret e që janë fshatrat Babaj i Bokës, Popoc, dhe Ponoshecë, aty ku ka vatra të zjarrit. Dje na ka ardhë Juniku në ndihmë me 2 zjarrfikës, Rahoveci me 2 zjarrfikës dhe Prizreni me katër zjarrfikës. Nëse nuk hynë FSK-ja, pra ushtria situata mund të përkeqësohet. E vetmja zgjidhje është ndërhyrja me helikopter”, tha Dinaj për Reporteri.net.