×
  • Lajme
  • Lajme

    Varhelyi: BE po punon për ta përmbushur premtimin për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor

    Reporteri
    05 Mars 2023 | 14:42

    Ne po punojmë shumë për të ndihmuar rajonin me mundësi të reja për biznesin dhe qytetarët dhe për të përmbushur premtimin për futjen e Ballkanit Perëndimor në BE.

    Këtë deklaroi komisioneri për Zgjerim i BE-së, Olivér Varhelyi në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik të Shkupit, raporton EWB.

    “Për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor për të trajtuar krizat energjetike dhe për të mbështetur rajonin, ne kemi miratuar një paketë të mbështetjes energjetike prej 1 miliardë eurosh gjatë samitit të fundit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë. Ne po shpërndajmë tashmë gjysmën e paketës për autoritetet: 500 milionë euro për të zbutur ndikimin e çmimeve të larta të energjisë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe për të mbajtur çmimet e energjisë të përballueshme për familjet në nevojë”, tha Olivér Várhelyi.

    Ai shtoi se BE ka fonde shtesë në dispozicion për të mbështetur diversifikimin e burimeve të energjisë dhe rrugëve larg Rusisë. Sipas tij, ndërlidhjet e energjisë elektrike dhe gazit drejt furnizimeve alternative dhe një terminali i ri LNG në detin Adriatik do të financohen plotësisht nga BE.

    “Këto investime do të sillnin më shumë energji, të besueshme dhe më të gjelbër në Ballkanin Perëndimor dhe do të kishin potencialin për ta kthyer Ballkanin Perëndimor në pikën e re të hyrjes së energjisë për Evropën”, shtoi ai.

    Ne po mbështesim gjithashtu projekte të energjisë së rinovueshme dhe efiçiencës së energjisë, të tilla si rinovimi i blloqeve të vjetra të banesave për të reduktuar konsumin e energjisë dhe për të ulur faturat e energjisë për familjet.

    Ai theksoi se ndërtimi i një tregu të përbashkët rajonal është thelbësor për të çliruar potencialin e plotë të Planit Ekonomik dhe Investiv.

    “Ne pamë në samitin e procesit të Berlinit vitin e kaluar një përparim të rëndësishëm në tregun e përbashkët rajonal, ku liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruan tre marrëveshje lëvizshmërie. Tani është e rëndësishme të ratifikohen dhe zbatohen këto tre marrëveshje, në mënyrë që qytetarët të mund të udhëtojnë, punojnë dhe studiojnë lirshëm në të gjithë rajonin, siç mundemi ne brenda BE-së”, përfundoi Várhelyi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!