Në varrezat e Kryeqytetit në Arbëri, është varrosur fotoreporteri Alban Bujari, i cili vdiq sot, shkruan Reporteri.net.
Në ceremoni kanë marrë pjesë familjarë, miq, kolegë dhe personalitete të ndryshme.
Bujari ishte një ndër emrat më të shquar të fotoreportazhit në Kosovë, i cili e dokumentoi luftën e viteve 1997-1999.
Përkushtimi dhe guximi i tij në dokumentimin që nga mediat vendore e deri tek ato më prestigjioze ndërkombëtare si Agjencia Evropiane e Shtypit (EPA), “The Guardian”, “El Pais”, “The Independent”, “Zeitung” e të tjera, u bënë dëshmi për botën mbi realitetin e luftës dhe krizës humanitare në Kosovë.
Bujari ekspozoi shumë fotografi nga masakrat në burgun e Dubravës, Reçak, Prekaz, Krushë e vise tjera, foto këto që tregojnë krimet e masakrat të cilët serbët i kryen ndaj shqiptarëve.
Këtë ekspozitë ai e pati quajtur “Rrugëtimi drejt lirisë”.I ndjeri po ashtu kishte ekspozitë edhe nga koha e pandemisë, të cilën e quajti “COVID-19”, për t’i treguar qytetarëve atë çka humbën e s’e panë shkaku i izolimit.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Bujari dokumentoi të vërtetën e Kosovës në vitet më të vështira, duke lënë një arkiv të jashtëzakonshëm kujtese dhe historie.
“Nga momentet e para të luftës së UÇK-së, ai rrezikoi jetën e tij për t`ia treguar botës imazhet që dëshmuan luftën, sakrificën dhe vuajtjen e popullit tonë. Përmes fotografive të tij, masakrat në Prekaz, Reçak dhe Rogovë nuk mbetën vetëm plagë të kujtesës sonë, por u bënë dëshmi e krimeve ndaj Kosovës para syve të botës. Me profesionalizëm dhe guxim të rrallë, ai e bëri historinë të pavdekshme përmes imazhit, duke na lënë një trashëgimi të çmuar për brezat që do të vijnë”, thuhet në telegram.