×
  • Lajme
  • -->
    Lajme / Kuvendi

    Vazhdimi i seancës konstituive caktohet për nesër në ora 12:00

    Reporteri
    16 Prill 2025 | 18:00

    Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet nesër (e enjte) në orën 12:00.

    Kjo është bërë e ditur në një njoftim nga Kuvendi i Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Një ditë më parë, Kuvendi dështoi t’i verifikonte mandatet e deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Opozita e deritashme tha se votoi kundër me pretekstin se kryeministri dhe ministrat, duan të marrin post të deputetit “ende pa dhënë dorëheqje”.

    E zyrtarët qeveritarë kanë thënë se pas përfundimit të mandatit, para certifikimit si deputetë, llogaritet të jenë efektivisht të dorëhequr. Kësisoj, edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se e ka dërguar një letër të konfirmimit të dorëheqjes te kryetari i deritashëm i Kuvendit.

    Pas dështimit të verifikimit të mandateve, seanca u ndërpre.

    Pas ndërprerjes së seancës, kryesuesi Avni Dehari iu drejtuar me një letër presidentes Vjosa Osmani, për hapat e mëtejmë.

    Presidentja Vjosa Osmani i ka kthyer sot përgjigje Kryesuesit të seancës, Avni Deharit, lidhur me shkresën që i ka dërguar sot për dështimin e seancës konstituive dje.

    Osmani u kërkoi deputetëve që Kuvendi të mblidhet nesër.

    “Rrjedhimisht, gjithashtu ju rikujtoj se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituive ta vazhdoni jo më vonë se brenda dyzet e tetë (48) orëve nga ndërprerja e saj. Andaj, ju ftoj që në përputhje me autorizimet tuaja si Kryesues i seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit, efektive që nga data 8 prill 2025, ta realizoni seancën konstituive në përputhje me parimet kushtetuese të përmendura më lart, Rregulloren e Kuvendit si dhe legjislacionin në fuqi.”, thuhet në letër.

    Presidentja Osmani i kthen përgjigje Deharit: Kushtetuta ju detyron të jetësoni e jo të bllokoni procese, mblidhuni nesër

     

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!