×
  • Lajme
  • Lajme / Letra

    Vazhdimi i seancës, Osmani shpreh gatishmëri t’i takojë Deharin dhe kryetarët e partive për të diskutuar “rrugën përpara”

    Reporteri
    16 Prill 2025 | 16:16

    Presidentja Vjosa Osmani, në letrën që i ka kthyer Kryesuesit të seancës, Avni Deharit, lidhur me situatën e krijuar dje në Kuvend, ka shprehur gatishmërinë edhe që ta takojë atë dhe kryetarët e partive.

    Në fund të letrës, Osmani ka thënë se mund t’i takojë ata për ta diskutuar rrugën përpara, nëse veç një gjë e tillë konsiderohet e nevojshme, shkruan Reporteri.net.

    “Në përmbyllje të kësaj letre, si Presidente e vendit dhe Kreu i Shtetit, në kuadër të kompetencave kushtetuese përkitazi me nenin 4, paragrafi 3 dhe nenin 84, paragrafi 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shpreh gatishmërinë time që t’ju mirëpres juve dhe kryetarët e partive politike parlamentare për ta diskutuar rrugën përpara, në rast se një gjë e tillë konsiderohet e nevojshme”, ka thënë Osmani në këtë letër, duke u thirrur në kompetencat e saj kushtetuese.

    Në këtë letër, Osmani ka kërkuar që Kuvendi të mblidhet nesër.

    “Rrjedhimisht, gjithashtu ju rikujtoj se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituive ta vazhdoni jo më vonë se brenda dyzet e tetë (48) orëve nga ndërprerja e saj. Andaj, ju ftoj që në përputhje me autorizimet tuaja si Kryesues i seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit, efektive që nga data 8 prill 2025, ta realizoni seancën konstituive në përputhje me parimet kushtetuese të përmendura më lart, Rregulloren e Kuvendit si dhe legjislacionin në fuqi.”,  thuhet në letër.

    Seanca konstituive e Kuvendit ka dështuar dje, pasi raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve.

    Në këtë seancë duhej që deputetët, pas miratimit të raportit, të bënin betimin dhe të zgjidhinin kryetarin dhe nënkryetarët./Reporteri.net

    Presidentja Osmani i kthen përgjigje Deharit: Kushtetuta ju detyron të jetësoni e jo të bllokoni procese, mblidhuni brenda 48 orësh

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!