Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, ka marrë pjesë të premten në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku po vazhdon procesi ndaj të akuzuarve Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq, Aleksandër Vlajiq dhe Miomir Vakiq për sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të vitit 2022.
Në këtë seancë, prokurori i Prokurorisë Speciale, Bekim Kodraliu, vazhdoi me administrimin e provave materiale.
Ai prezantoi 14 raporte të Policisë së Kosovës, të cilat, sipas tij, përmbajnë video-incizime dhe biseda ndërmjet të akuzuarve, që dëshmojnë për koordinimin e tyre gjatë kryerjes së sulmit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas prokurorit, këto prova vërtetojnë jo vetëm veprimet individuale të të akuzuarve, por edhe bashkëveprimin e tyre me qëllim të frikësimit të zyrtarëve të KKZ-së për shkak të detyrës zyrtare.
Gjykimi vijon me kundërshtimin e provave nga mbrojtësit e të akuzuarve.
Ndryshe, sipas aktit akuzues thuhet se Pantiq, Milenkoviq, Vlajiq dhe Vakiq më 6 dhjetor 2022, në ora 14:39, kishin kryer sulmin terrorist ndaj zyrave të KKZ-së, duke hedhur granata dore dhe shok bomba.
Më 13 dhjetor 2023 PSRK kishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës për Pantiq dhe tre të tjerët.
Më 12 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi një muaj paraburgim ndaj ish-policit serb, Dejan Pantiq, ndërsa më 28 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë ia zëvendësoi masën e paraburgimit me arrest shtëpiak.
Pantiq ishte arrestuar më 10 dhjetor 2022 në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, ndërsa arrestimi i tij kishte nxitur reagime nga pala serbe, e që u pasua me vendosjen e barrikadave në pika kufitare./Betimi për Drejtësi