Tetë vetura, shtatë prej të cilave me targa RKS janë djegur në tri ditët e fundit në veri të fundit.
Policia e Kosovës ka konfirmuar sot djegien edhe të tri veturave të tjera në dy raste të ndara, në Leposaviq.
Dy nga veturat e djegura ishin me targa RKS, ndërkaq flakë mori edhe një veturë me targa të Beogradit.
Policia e Kosovës, njoftoi se është duke i hetuar këto akte me seriozitet dhe u ka bërë thirrje qytetarëve për bashkëpunim në gjetjen e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë.
Përveç këtyre tri veturave, në veri të vendit janë djegur edhe pesë të tjera në interval kohor prej dy ditësh.
Pas djegies fillimisht të dy veturave më 30 mars pas mesnatës, në veri të vendit është raportuar se nga persona të panjohur janë djegur edhe tri vetura që iu përkasin qytetarëve të nacionalitetit serb.
Për djegien e veturave ka reaguar vazhdimisht këshilltari i Presidentes Osmani, Blerim Vela, i cili intensifikimin e djegieve të veturave të serbëve lokal, e ka lidhur me zgjedhjet që pritet të mbahen në veri.
Por, ende asnjë reagim nuk ka pasur nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla edhe në ditën e tretë kur këto akte po vazhdojnë.
Për gjithë situatën ka pasur dje reagime të ashpra nga ndërkombëtarët.
Këto akte i dënuan edhe BE-ja e SHBA-ja.
Shefi i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog gjatë ditës së djeshme ka thënë se kjo vepër që ka ndodhur gjatë dy ditëve të fundit, me qëllim të frikësimit të popullatës lokale është i mjerueshëm, i papranueshëm dhe duhet dënuar.
Aktin e ka dënuar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili e ka cilësuar si vepër frikacake dhe kriminale.
“Fatkeqësisht, më duhet ta përsëris këtë mesazh. SHBA-të dënojnë djegien ose shkatërrimin e pronës dhe çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë ose synojnë të marrin targa RKS për veturat sipas ligjit të Kosovës. Këto janë vepra frikacake dhe kriminale”, ka shkruar Hovenier.
Ka reaguar po ashtu edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
Të tilla raste kishe pasur edhe vitin e kaluar, gjatë kohës sa Qeveria tentonte t’i largonte nga qarkullimi targat ilegale serbe.
Qeveria e Kosovës, vitin e kaluar mori vendim që të mos lejojë targat ilegale që prodhohen në Serbi, por që ky vendim u shty për tu zbatuar këtë vit.
Më 23 nëntor të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për të tejkaluar krizën rreth targave të makinave.
Marrëveshjen e nëntorit, Kosova është zotuar për heqje dorë nga masat ndëshkuese lidhur me targat, derisa Serbia është zotuar se nuk do të lëshojë më targa ilegale.
Marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për targat e makinave në nëntor të vitit të kaluar, nuk ka afate kohore apo afat skadimi, thanë dje nga BE-ja.
Kujtojmë se zgjedhjet për kryetar të katër komunave në veri pritet të mbahen me datë 23 prill.
Por, këto zgjedhje do të mbahen pa Listën Serbe, e cila nuk është regjistruar fare në KQZ. /Reporteri.net/
BE: Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për targat nuk ka afate kohore