×
  • Lajme
  • Lajme

    Vazhdon polemika për skandalin e energjisë, Ermal Panduri e fton publikisht Artane Rizvanollin në “Debat Plus”

    Reporteri
    11 Qershor 2025 | 15:53

    Polemika mes gazetarit Ermal Panduri dhe Ministres në detyrë, Artane Rizvanolli, për skandalin energjetik ku shteti dha garanci bankare për operatorë private, po vazhdon ende.

    Panduri ka bërë edhe sot një reagim, ku e ka ftuar publikisht Rizvanollin për intervistë në “Debat Plus”. Ai ka kërkuar qasje në dosjet e kompanive që kanë marrë pjesë në ankand.

    “Pra, në vend të shkruani çdo tri ditë komunikata që mbrojnë formën dhe shmangin thelbin, hajdeni në Debat Plus. Po ju ftojmë publikisht – ju, ministrin e Financave, drejtorët e KOSTT-it – të gjithë. T’i sqarojmë bashkë në studio të gjitha: letra, garancionet, emrat, lidhjet familjare, nënshkrimet, dhe më e rëndësishmja, kontratat e publikut me para publike”, ka shkruar Panduri.

    Panduri ka thënë se Ministrja në detyrë s’ka arsye të fshihet pas komunikatave.

    “Dhe nëse jeni me të vërtetë për transparencë – na jepni qasje në dosjet e secilës kompani që ka marrë pjesë në ankand. Nëse gjithçka është e pastër, nuk ka asnjë arsye të fshiheni pas komunikatave. Të vërtetën nuk e mbrojnë pdf-ët me ngjyra. E mbron guximi me u përballë.  Hajdeni”, ka shkruar Panduri.

    Ndryshe, para disa ditësh, gazetari Ermal Panduri në emisionin e tij, ‘Debat Plus’, ka prezantuar një hulumtim që shfaq keqpërdorime në çështjen e energjisë elektrike në Kosovë, ku janë të përfshirë shumë aktorë të rëndësishëm dhe vendimmarrës.

    Në këtë hulumtim Panduri ka thënë se shihet qartë kapja totale e një prej institucioneve kryesore të energjisë – KOSTT-it.

    Pozicionet kyçe në këtë institucion mbahen nga persona që kanë lidhje direkte ose indirekte me zyrtarët më të lartë të shtetit dhe pushtetit.

    Ky garancion bankar milionësh, nga viti i ardhshëm do të ndikojë drejtpërdrejt në çmimin më të madh të faturave, që do ta paguajnë qytetarët k thënë Panduri.

    Ai tutje ka treguar se është hulumtuar dhe analizuar gjatë ku del se ky veprim i KOSTT-it është jashtëzakonisht i dyshimtë.

    Por, KOSTT-i nuk është i vetëm ka thënë Panduri duke shtuar se këtu përfshihen thellë edhe Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave, me në krye shefat e tyre.

    ‘’Puna shkon deri tek Kuvendi i Kosovës, që po del se nuk ka qenë fare në dijeni se një organ që do duhej t’i përgjigjej atij, ka lëshuar një fletëgarancion bankar për një operator privat’’, ka thënë ai.

    Tutje Panduri ka thënë se nga taksat tona shteti i jep garancion në bankë – një privati.

    ”Bëhet fjalë për Ankandin Solar 100 MW, që ishte i pari i shpallur nga institucionet e Kosovës’’, ka thënë ai.

    KOSTT reagon për skandalin energjetik: Garancia e pagesës nuk është lëshuar ende

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!