×
  • Lajme
  • Lajme / Hagë

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Fadil Geci dëshmon sot lidhur me komunikatën 59

    Reporteri
    21 Tetor 2024 | 7:57

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në këtë seancë pritet të dëshmojë Fadil Geci, ish-anëtar i UÇK-së, i cili do të japë dëshminë e tij lidhur me akuzat që i janë ngritur Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

    Geci do të përballet me pyetje të ndryshme që lidhen me komunikatën 59, e cila përfshin informacione të rëndësishme mbi operacionet e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë.

    Halil Geci, ka njoftuar se vëllai i tij, ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Geci, ka udhëtuar për në Hagë, ku do të dëshmojë në Gjykatën Speciale.

    Këtë, Halili e ka bërë të ditur përmes një postimi në platformën sociale, Facebook.

    Halil Geci tha se dëshmia e vëllait të tij Fadilit do të jetë e hapur ku sipas tij, kjo dëshmi do ta vërtetojë edhe çështjen e Komunikatës 59.

    “Miq të mi. Ju informojmë të gjithë juve që jeni të interesuar për ta përcjellë dëshminë e hapur të vëllait tonë Fadilit për publik të cilën e kemi kërkua neve vetë nga gjykata që seanca të jetë e hapur, por gjykata e ka ndërruar orarin nga ora 9:00 e paradites që ishte ditën e hënë, e kanë shtyrë në ora 13:00 pasdite. Ju kërkojmë falje ngase asgjë nuk është në dorën tone. Ngjan që prapë e ndryshojnë por dijeni ju miqtë tanë se dëshira e jonë është të përballemi sy më sy me shkruaresin e Komunikatës 59”, shkroi Halil Geci.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar të hënën ka dhënë deklaratën hyrëse në Dhomat e Specializuara të Hagës.

    Prokuroria paraqiti disa komunikata, në mesin e tyre edhe komunikata e 59-të.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!