Çlirim Haziri, djali i dëshmorit Xhavit Haziri, u ka bërë thirrje qytetarëve që kundërshtimin e tyre ndaj aktgjykimit të sotëm në Hagë ta shprehin me vendosmëri, por me dinjitet dhe pa sulmuar Policinë apo institucionet e Kosovës.
Duke iu drejtuar qytetarëve të mbledhur në Prishtinë, Haziri tha se protestat do të vazhdojnë dhe se qytetarët nuk do të heshtin përballë një vendimi që ai e konsideron të padrejtë, por theksoi se kundërshtimi nuk duhet të drejtohet kundër institucioneve të vendit.
“Do të qëndrojmë këtu, do të protestojmë dhe nuk do të heshtim. Por nuk do ta sulmojmë Policinë e Kosovës dhe nuk do t’i sulmojmë institucionet tona”, ka thënë Haziri.
Ai u ka bërë thirrje protestuesve që të mos mbajnë maska dhe të mos e fshehin identitetin gjatë protestës.
“Hiqini maskat. UÇK-ja ka qenë pa maska. Edhe ne jemi pa maska. Ne nuk fshihemi. Ne protestojmë hapur dhe me dinjitet”, ka deklaruar Haziri.
Sipas tij, qytetarët mund ta mbrojnë publikisht atë që e konsiderojnë të vërtetën e luftës së UÇK-së pa cenuar rendin dhe institucionet e Republikës së Kosovës.
Haziri ka kërkuar që qytetarët të tregojnë përmbajtje ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, duke theksuar se kundërshtimi i tyre është ndaj aktgjykimit dhe jo ndaj institucioneve të vendit.
“Këto janë institucionet tona. Janë institucionet e Kosovës, të krijuara me shumë sakrificë dhe me gjakun e dëshmorëve. Ne jemi këtu për ta mbrojtur UÇK-në, jo për ta dëmtuar Kosovën”, është mesazhi që Haziri u ka përcjellë qytetarëve.
Ai ka paralajmëruar se protestat dhe aktivitetet qytetare do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke kërkuar që ato të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe dinjitoze.
“Nuk do të heshtim dhe nuk do të dorëzohemi, por do të protestojmë siç i ka hije një populli që e di çfarë ka sakrifikuar për lirinë e vet”, ka thënë Haziri.
Gjykata Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Specialja ka konstatuar se të katër ishin përgjegjës për ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimit mizor kundër 49 personave, torturës kundër 303 personave dhe vrasjes së paligjshme kundër 96 personave.
Ata u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit pasi nuk u vërtetua dyshimi se kanë kryer sulme ndaj popullatës civile. Gjithashtu të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në lidhje me një numër incidentesh krime lufte.