Çmimet e produkteve ushqimore si dhe mallrave të tjera po vazhdojnë të rriten. Teksa qytetarët ankohen se po u rëndohet gjendja ekonomike, bizneset ngritjen e çmimeve ia atribuojnë shtrenjtimit të rrymës. Njohësit e fushës thonë se kostoja e jetesës do të vazhdojë të rritet edhe muajt në vijim. Njoftime për ngritje të çmimeve janë hasur së fundmi në disa biznese në vend.
Ngritja e çmimit të energjisë elektrike, vlerësohet se i ka paraprirë nisjes së një vale të re të ngritjes së çmimeve në Kosovë. Çmimi i bukës ka nisur të rritet, ai i qumështit është paralajmëruar të rritet ditëve në vijim, teksa edhe çmimi i perimeve, mishit, kafesë e produkteve të tjera kanë shënuar ngritje.
“Tash po e cekim vetëm rrymën. Vaji para dy vitesh ka qenë 89 centë, tash është 1 euro e 90 centë,” ka deklaruar një qytetar.
“Një numër i madh i qytetarëve jetojnë me ndihma sociale. Qysh do ta paguajnë ata rrymën? Nuk kanë mundësi ta paguajnë. Unë e kam pensionin pak më të mirë, por po kam probleme”, deklaron një tjetër.
“Vetëm buka mos të shtrenjtohet dhe artikujt elementarë si qumështi, vaji, vajza dhe sheqeri”, është kërkesa e një qytetari tjetër.
“Nuk bën të rriten çmimet. Pensionet nuk i kanë rritur, rrogat thuajse jo”, shton një tjetër qytetar.
Bizneset paralajmërojnë ngritje edhe më tej, dhe këtë ia atribuojnë shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Këtë e thonë edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës.
“Çmimi i energjisë elektrike ndikon drejtpërdrejt në koston operative dhe kjo padyshim që do të sjellë edhe shtrenjtimin e produkteve dhe qytetari i Kosovës do të ngarkohet dy herë. Një herë do të ngarkohet si ekonomi familjare me 15 përqind, kurse herën e dytë do të ngarkohet përmes produkteve që do të shiten në Kosovë më shtrenjtë se deri më sot,”, ka deklaruar Lulzim Rafuna, drejtor i OEK.
Ngritje gjatë këtij viti kanë shënuar edhe çmimet e djathit, vezëve, çajit, ujit, shërbimeve hoteliere, atyre ambulatore, si dhe mallrave dhe shërbimeve për mirëmbajtjen e ekonomive shtëpiake. /RTK