Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës është njoftuar për vrasjen e të riut në Podujevë, Lulzim Fejzullahu.
Aty thuhet se trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.
“VRASJE E RËNDË- Rr. Drenica, Podujevë 14.01.2024-13:00. Lidhur me rastin, me 20.01.2024 viktima mashkull kosovar i cili ka qenë duke u trajtuar në QKUK, ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti është duke hetuar”, thuhet në raportin e Policisë.
18 vjeçari u rrah brutalisht nga disa persona disa ditë më parë.
Lidhur me këtë, edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës lëshoi një komunikatë për media, derisa shpjegonte se viktima ishte goditur me shkop duke i shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima është dërguar më pas në QKUK për trajtim mjekësor.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me rastin e dt. 15 janar 2024, në Podujevë, ku pas një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën (tashmë të ndjerin, 18 vjeç), duke i shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa po në të njëjtën ditë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale ‘Vrasje në tetnativë’ (tashmë vrasje) dhe rasti ka filluar të trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Brenda afatit ligjor, pranë gjykatës kompetente, prokurori ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarit, e cila është aprovuar dhe të dyshuarit aktualisht ndodhen nën masën e paraburgimit”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq nga Policia e Kosovës kanë thënë se të dyshuari po në të njëjtën ditë janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje.
Nga Policia kanë thënë se rasti është rikualifikuar nga ‘vrasje në tentativë’ në ‘vrasje e rëndë’.
“Sot nga zyrtarët e QKUK-së në Prishtinë, policia ka pranuar konfirmimin se L.F, mashkull, 18 vjeç, i cili ishte duke u trajtuar në njësinë e mjekimit intesiv ka ndërruar jetë. Në hetimin penal, që njësia e hetimeve të përgjithëshme e rajonit të Prishtinës po kryente në drejtim të veprës penale “Vrasja në tentativë” përkitazi me rastin e ndodhur më 14.01.2024, në rrugën “Drenica” në Podujevë, i njëjti ka qenë viktimë. Ndërlidhur me ngjarjen po në të njëjtën ditë policia ka arrestuar dy persona të dyshuar të cilët janë dërguar në mbajtje si vijimësi e procesit hetimor. Trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërkohë që në përputhje me rrethanat e reja, policia me autorizimin e prokurorit të shtetit, ka ricilësuar veprën penale që po hetohej deri tani dhe ka orientuar hetimin në drejtim të veprës penale “Vrasje e Rëndë”, kanë thënë nga Policia e Kosovës për Reporteri.net.