Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas vdekjes së Bujar Bukoshit.
Rama e ka cilësuar Bukoshin si “shqiptar të mirë, politikan të rafinuar dhe njeri të ndjeshëm”, shkruan Reporteri.net.
Ai i ka shprehur ngushëllime familjes së Bukoshit dhe gjithë vendit.
“U prehsh në paqe 🖤 Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe Kosovës për humbjen e një shqiptari të mirë, politikani të rafinuar e njeriu të ndjeshëm si Bujar Bukoshi”, ka shkruar Rama.
Bujar Bukoshi, ish-kryeministër i Kosovës në mërgim dhe politikan i rëndësishëm i vendit, ka vdekur të martën në moshën 78-vjeçare.
Raportohet se ai vuante nga një sëmundje e rëndë e paspecifikuar.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e përshkroi Bukoshin si një “mjek me vizion dhe një burrë shteti me përkushtim të pashoq”.
“Kontributi i tij si mjek, intelektual dhe udhëheqës politik ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e rrugës sonë drejt lirisë dhe pavarësisë”, tha Osmani, sipas një komunikate të Presidencës.
Bukoshi, mjek, urolog, profesor i universitetit, ishte kryeministër i Kosovës në mërgim nga viti 1991 deri në vitin 1999.