Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vdekjes së një punëtori në një vendpunishte në Prishtinë, duke kërkuar hetim të plotë dhe transparent për rastin.
Bajrami ka thënë se ky rast është një tjetër alarm për mënyrën se si trajtohet siguria në vendin e punës.
“Vdekja e sotme e një punëtori në vendin e punës, në Prishtinë, është një tjetër alarm se siguria në punë vazhdon të mos trajtohet me seriozitetin e duhur. Çdo jetë e humbur në vendin e punës është një dështim i sistemit të mbikëqyrjes dhe zbatimit të ligjit”, ka shkruar ajo.
Ajo ka kërkuar nga Inspektorati i Punës dhe institucionet përgjegjëse që të hetojnë rastin dhe të publikojnë gjetjet.
“Kërkoj nga Inspektorati i Punës dhe institucionet e tjera përgjegjëse që të zhvillojnë një hetim të plotë dhe transparent për këtë rast, t’i bëjnë publike gjetjet dhe të ndërmarrin masa ndaj kujtdo që rezulton se ka shkelur ligjin”, ka deklaruar Bajrami.
Deputetja e zgjedhur e LDK-së u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës, ndërsa të lënduarve u ka uruar shërim të shpejtë.