Një 38-vjeçar shqiptar ka vdekur në një aksident teksa po tentonte ti arratisej policisë italiane.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në Nettuno, afër Romës.
Sipas hetimeve të para, rreth orës 20:30 dy vetura kaluan me shpejtësi të madhe para dy patrullave të policisë.
Agjentët nisën menjëherë ndjekjen e automjetit të parë, i cili u ndalua pak pas kësaj dhe kishte brenda një 26-vjeçar italian.
Patrulla tjetër ndoqi veturën e dytë, një Fiat Cinquecento, e cila vazhdoi të ikte deri sa hyri në një rrugë të dëmtuar dhe pa asfalt.
Në këtë moment, një pluhur i madh u ngrit dhe patrulla ngadalësoi për shkak të dukshmërisë të dobët. Vetura vazhdoi udhëtimin, dhe përfundoi duke u përplasur me një shtyllë telefoni dhe u rrotullua.
Nga automjeti, sipas hetimeve të autoriteteve, doli një çantë e madhe në të cilën u gjetën 23 paketa me gjithsej 25 kg kokainë. Policia iu afrua për të ofruar ndihmë, por për shqiptarin nuk bëhej më dot asgjë pasi kishtë ndërruar jetë.