Ka vdekur në moshën 81-vjeçare profesori i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, akademiku Salih Gashi, shkruan Reporteri.net.
Lajmin e ka bërë të ditur profesori Arsim Bajrami, përmes një postimi në Facebook.
“Me pikëllim të thellë njoftojmë se sot, më 21 prill 2025, në moshën 81-vjeçare ndërroi jetë profesori i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit Prishtinës, akademik Salih Gashi”, ka shkruar Bajrami.
Varrimi do të bëhet më 23 prill 2025, në orën 16:30, në varrezat e Baranit të Ulët.
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës do të organizojë mbledhje përkujtimore të mërkurën, duke filluar nga ora 10:00, për të vazhduar me homazhe.
Gashi shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Pejë. Në vitin 1962 u regjistrua në degën e kimisë të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore (FSHMN) në Prishtinë dhe pas vitit të dytë vazhdoi studimet në Universitetin e Beogradit, ku u diplomua në vitin 1966. Pas përfundimit të studimeve punoi në Kombinatin Trepça, Minierat dhe Flotacioni në Kishnicë dhe Novobërdë (Artanë), si udhëheqës i laboratorit të kimisë. Në vitin shkollor 1969/70 u regjistrua në studimet pasuniversitare në Fakultetin Teknologjik të Universitetit të Zagrebit, ku magjistroi në vitin 1971 me temën ”Studimi i fraksionimit të polistirenit”, ndërsa një vit më vonë u zgjodh asistent i kimisë fizike në degën e kimisë të FSHMN të Universitetit të Prishtinës. Në vitin 1978 mbrojti tezën e doktoratës me titull “Hulumtimi i strukturës poroze të membranave të osmozës së kundërt dhe përdorimi i tyre për pastrimin e ujërave të ndotura” në Universitetin e Zagrebit. Po këtë vit u zgjodh docent për lëndën kimia fizike në FSHMN. Gjatë kësaj periudhe ka qenë në specializim në Universitetin e Bërnos dhe në Institutin ”Hidroprojekt“ (Bërno, ish Çekosllovaki).
Në vitin 1985 është ftuar profesor vizitor në Universitetin e Jenës dhe në Institutin e Makromolekulave të Akademisë së Shkencave të Berlinit dhe ka mbajtur ligjërata nga fusha e osmozës së kundërt (reverse). Në vitin 1988 u zgjodh anëtar i “European Society of Membrane Science and Technology”, ndërsa në vitin 1993 profesor ordinar në departamentin e kimisë në FSHMN. Po këtë vit u zgjodh kryeredaktor për botimin e teksteve të shkencave të natyrës në Universitetin e Prishtinës.
Ai ka dhënë kontribut të çmuar në zhvillimin e katedrave të kimisë fizike në Universitetin e Prishtinës. Në vitet 2000-2002 u zgjodh kryetar i Kuvendit Komunal të Prishtinës. Më 2012 mori mirënjohje nga FSHMN dhe po atë vit u zgjodh anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Nga viti 2013 ishte anëtar i “ALLEA’s ëorking group on Science Education”.Ishte anëtar korrespondent i “Euro Science Open Forum”.Në vitin 2017 u zgjodh kryeredaktor i revistës shkencore të ASHAK “Research-Kërkime”, teksa në dhjetor të vitit 2024 u zgjodh anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.
Në vitin 2017 u zgjodh kryeredaktor i revistës shkencore të ASHAK “Research-Kërkime”, teksa në dhjetor të vitit 2024 u zgjodh anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.
Salih Gashi la një trashëgimi të punimeve shkencore nga fusha e kimisë fizike, të botuar në revista prestigjioze në vende të ndryshme të botës dhe pjesëmarrës po në aq konferenca dhe tubime shkencore, ku përfaqësoi Universitetin e Prishtinës dhe më pas Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.