×
  • Lajme
  • Lajme

    Veliu njoftimin për shkarkim e mori nga mediat, vendimi për shkarkim i shkoi më vonë

    Reporteri
    18 Mars 2020 | 13:24

    Kryeministri Albin Kurti përmes një komunikate ka bërë të ditur se ka shkarkuar nga detyra ministrin e Brendshëm Agim Veliu, me arsyetimin se ka ngjallur panik me deklaratat e tij dhënë në media lidhur me situatën rreth coronavirusit. Por, ministri që është shkarkuar nuk është konsultuar fare paraprakisht, dhe vendimin për shkarkim e ka marrë vesh nga mediat.


    Gazeta Online Reporteri.net, nga burime brenda MPB’së, mëson se ministri Veliu fare nuk është njoftuar e as konsultuar nga kryeministri, para se ta merrte vendimin prë shkarkimin e tij.

    Ky burim i ka thënë Reporterit, se ministri Veliu vendimin për shkarkim e ka marrë rreth 20 minuta pasi ai ishte publikuar në media.

    Se Kurti nuk është konsultuar me askëd, madje as me shefin e partisë partnere në koalicion, Isa Mustafa e ka bërë të ditur edhe vetë ky i fundit.

    “Z. Kurti nuk eshte konsultuar me mua, prandaj edhe nuk jam pajtuar per shkarkimin e ministrit Veliu. Ky eshte veprim i njeanshem, ne kundershtim me marreveshjen e koalicionit, dhe i papranueshem per LDK-në”, ka thënë Mustafa në një deklaratë për media.

    Kurtit, në arsyetimin e shkarkimit të ministrit Veliu tha se këtë e ka bërë pasi ministri Veliu e ka minimizuar punën e Qeverisë dhe ka treguar mungesë lidershipi në përballje me situatën rreth coronavirusit.

    “Në këto momente, kur e gjithë administrata publike po bën përpjekje maksimale për të minimizuar dëmet nga virusi korona, udhëheqësit e institucioneve qendrore, përfshirë këtu anëtarët e kabinetit qeveritar duhet të demonstrojnë maturi si në vendime, ashtu edhe deklarime. Përmes deklaratave të tij të bëra publikisht, por jo edhe të mbështetura me qëndrime të tij në mbledhje të brendshme, ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Veliu ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e të cilës ai është”, shkruhet në njoftim. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!