Vëllai i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi po dyshohet se punonte në kompaninë e babait të aksionarit të konzorciumit i cili e fitoi kontratën për fabrikën e përpunimit të nënprodukteve shtazore. Kështu po raporton mediumi “Kallxo.com”.
Por, ndonëse ishte përmendur nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci, zëvendëskryeministri Bislimi nuk i ka komentuar dyshimet.
Ai kur është kontaktuar nga Kallxo, e ka mbyllur telefonin. “Ditën e mirë.”, ka thënë Bislimi.
E vetë ministri Peci kishte folur për përfshirjen e Bislimit në dhënien e kontratës.
“Me këtë temë, me procesin e integrimeve evropiane, si zëvendëskryeministër i parë merret Besnik Buislimi, Më ka ftu dy herë në zyrë për këtë temë.”, thotë Peci.
E veç thirrjes telefonike, Bislimi ka ikur nga gazetarët edhe kur është takuar duke hyrë në ndërtesën e Qeverisë.
Ai ka refuzuar të përgjigjet se cilat kanë qenë arsyet që e ka ftuar ministrin Peci në zyrën e tij lidhur me këtë fabrikë.
Bislimi ka refuzuar të përgjigjet se a e njeh familjen Maloku.
Por, Peci e ka konfirmuar interesimin e Bislimit rreth fabrikës.
“Unë jam kthy në ministri e kam transmetu shqetësimin e zëvendëskryeministrit për nevojën për funksionalizimin e kësaj fabrike.”, ka thënë Peci.
E pas shumë tentimeve Bisilimi i ka mohuar përfshirjen e tij dhe familjarëve.
“O kurrgjë s’kemi o njeri a po merr vesh? Mos u merr se s’ka kurrfarë lidhje më atë. Unë po ta hjeki atë kurrfarë lidhje nuk ka. Ama bash kurrgjë hiç.”, ka thënë ai.
Por të kundërtën e thotë ministri Peci. Ai i tha se Bislimi i ka thënë se nuk ka rëndësi as kostoja financiare.
“Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se nuk është e rëndësishme sa ka me pas kosto financiare.”, tha Peci.
Sipas një hulumtimi të Kallxo, kontrata për dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore u nënshkrua nga ministri Faton Peci pas një vendimi që Qeveria e Kosovës e mori në janar të vitit 2025. Kontrata ishte dhënë për kompaninë “LIP KS & IT” Sh.P.K.
Hulumtimi zbardhë edhe të kaluarën e familjarëve të njërit prej aksionarëve nga Kosova i cili ishte i përfshirë në ‘aferën Brezovica’. Detaje për akuzën dhe lidhjet e kësaj familje me dyshimet për mitdhënje për ish-kryetarin e Shtërpcës, Branisllav Nikoliq.
Historia e kontratës
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kishte publikuar dy njoftime, më 19.07.2024 dhe më 18.09.2024, në të cilat kërkonte palët e interesuara të aplikojnë për kontarën për funksionalizmin e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.
Pesë ditë pasi ishte publikuar thirrja e dytë publike në ueb-faqe të AUV, kompania “LIP KS & IT” SH.P.K. ishte regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Dosja e regjistrimit zbulon që fillimisht themelues të kësaj kompanie kishin qenë tre aksionarë, Naser Maloku, si drejtor menaxhues dhe dy kompani të tjera, “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të zi dhe “LIPITALIA 2000” S.P.S. me adresë në Rosta të Italisë.
Sipas të dhënave pronar i kompanisë “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të zi është një kompani tjetër me emër “MR & Co doo” me seli në Beograd të Serbisë e cila është në pronësi të shtetasit të Serbisë, Muamer Ragipoviq.
Muamer Ragipoviq figuron si drejtor edhe në kompaninë “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të zi që kishte aksione në kompaninë kosovare që e nënshkroi kontratën me Ministrinë e Bujqësisë.
Kompania “MR & MNE” D.O.O. me pronar Muamer Ragipoviq ishte tërhequr nga biznesi që fitoi kontratën nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural më 20.02.2025, 1 muaj e 10 ditë pasi ishte nënshkruar kontrata për fabrikën.
Vlera e aksioneve të kompanisë “MR & MNE” D.O.O. ishte 30% në kompaninë e regjistruar në Kosovë “LIP KS & IT” ose në vlerë prej 3,000 eurove. Aksioniet ishin bartur tek Naser Maloku dhe kompania “ARCHES BAU” Sh.P.K., kompani e cila më vonë do të bashkohej në pronësi të kompanisë që kishte fituar kontratën nga Ministria e Bujqësisë.
Sipas të dhënave publike, kompania “MR & MNE” D.O.O. ka vetëm një punëtor në Podgoricë, ndërsa ka katër punëtorë në “MR & Co doo” në Beograd.
Procesi për dhënin në shfrytëzim të kësaj fabrike kishte filluar më 19.07.2024 nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.
Pesë muaj më vonë, më 09.01.2025, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të aprovohet dhënia në shfrytëzim e tokës dhe fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.
Një ditë pas, më 10.01.2025, Faton Peci, në cilësinë e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kishte nënshkruar kontratën me titull “Funksionalizimi objektit për përpunimin e nënprodukteve shtazore”.
Fitues i kontratës ishte shpallur “LIP KS & IT” Sh.P.K., të cilës i është dhënë e drejta për operim për 20 vite, duke u llogaritur viti 2024 deri në vitin 2044, me mundësi vazhdimi.
Sipas kontratës, kompania obligohet të paguaj një qira prej 30 mijë euro brenda vitit, që i bie nga 2 mijë e 500 euro çdo muaj.
Neni 4 i kontratës parasheh edhe subvencionin e kompanisë për çdo kilogram të grumbulluar dhe përpunuar.
“Subvencioni për çdo ton të grumbulluar do të jetë në shumën prej 0.16 cent për kilogram (1 kg)”- thuhet në kontratë. Fabrika për përpunimin e nënprodukteve shtazore kishte nis të ndërtohet nëntë vitë më parë.