Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi”, e ka cilësuar si të paprecedntë dhe të pajustifikueshëm vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurorimit, e cila vendosi sot lidhur me ankesën e kësaj kompanie kundër Komunës së Prishtinës për tenderin 16.5 milionësh për angazhimin e operatorëve privatë në ofrimin e shërbimeve të pastrimit.
OSHP e ka mbyllur sot rastin, duke thënë se është jashtë jurudiksionit të tij.
Nga “Pastrimi” kanë thënë se “Nuk do të lejojmë falimentimin e KRM “Pastrimi” Sh.A. për të cilën Komuna qëllimisht po insiston për gjë të tillë”, shkruan Reporteri.net.
Kjo kompani ka paralajmëruar se do të dorëzojë ankesë ndaj këtij vendimi dhe do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore.
“Për më tepër, vendimi në asnjë pjesë të tij nuk i jep të drejtë apo legjitimitet veprimeve të Komunës së Prishtinës, duke ia lënë në kompetencë gjykatave dhe organeve tjera që mbikëqyrin kundërligjshmëritë”, thuhet tutje në reagim.
Në vendimin e OSHP’së thuhet se shqyrtimi i kësaj ankesese është jashtë juridikisionit të OSHP’së, teksa theksohet se “Pastrimi” mund t’u drejtohet institucioneve tjera për mbrojtjen e të drejtave të saj.
“Shqyrtimi i kësaj ankese nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit është jashtë fushës së kompetencave dhe autorizimeve ligjore të përcaktuara me Ligjin Për Prokurimin Publik, I ndryshuar, si dhe me legjislacionin sekondar në fuqi që rregullon procedurat dhe veprimtarinë e këtij organi. Sipas dispozitave të këtij ligji dhe aktet nënligjore përkatëse, kompetencat e Organit Shqyrtues janë të përcaktuara në mënyrë të qartë dhe të kufizuar vetëm për shqyrtimin e çështjeve që lidhen drejtpërdrejt me procedurat e prokurimit publik brenda kornizës ligjore të përcaktuar. Çdo pretendim që tejkalon këto kufizime, përfshirë edhe shqyrtimin e çështjeve jashtë fushës së prokurimit publik ose jashtë kompetencave të përcaktuara ligjore, konsiderohet jashtë juridiksionit të këtij organi”, thuhet në vendim.
Tenderi në vlerë prej 16.5 milionë euro ishte shpallur në nëntor të vitit të kaluar./Reporteri.net