×
  • Lajme
  • Lajme

    Vendimi i PZAP-it, egjiptianët i qesin kushte Kurtit: Një ministri, ose mos llogaritni tek ne

    Reporteri
    12 Nëntor 2019 | 10:05

    Koalicionit të ardhshëm qeverisës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, i është ndryshuar përbërja në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas vendimit të PZAP-it për heqjen nga rezultati përfundimtar i votave të ardhura nga Serbia.


    Partia më e dëmtuar pas këtij vendimi po del të jetë LVV-ja e Albin Kurtit e cila do t’i ketë minus 3 deputetë, ndërsa LDK-ja minus 1. E, përfituese natyrisht se është Nisma dhe AKR-ja, të cilat do të jenë pjesë e legjislaturës me gjashtë deputetë.

    Kësisoj, koalicionit të ardhshëm i është “ngushtuar” rrethi me vetëm 57 deputetë, nga 62 sa kishte gjithsej.

    Mirëpo, vendimi i PZAP-it si duket ka nxitur reagime nga deputetët minoritarë, respektivisht Partia Liberale Egjiptiane. Kryetari i këtij subjekti, Veton Berisha, në një prononcim për Indeksonline, ka treguar kushtet që ka komuniteti i tij.

    Sipas tij, në mandat, do të jenë dy deputetë nga komuniteti egjiptian. Andaj, Berisha thotë se kërkesa finale do të jetë që ky komunitet të ketë një ministri, në të kundërtën do t’i thonë “Jo” Kurtit.

    “Ne do të kërkojmë të na jepet një e drejtë e mohuar nga të gjitha qeveritë deri tani. Asnjëherë deri tashti komunitetit egjiptian nuk i është dhënë asnjë mundësi për të drejtuar ministri të caktuara. Tani jemi duke u dakorduar edhe me deputetë nga komunitetet e tjera për të marrë përkrahjen për drejtimin e një ministrie nga komuniteti egjiptian”, është shprehur ai.

    Më tej, Berisha theksoi se janë duke pritur nga mandatari që të reflektojë në realizimin e kësaj të drejte kushtetuese ku komunitetet joshumicë janë të barabarta në Kosovë.

    “…në të kundërtën nuk do të kemi arsye të jemi pjesë e Qeverisë”, ka deklaruar ai.

    Ndryshe, LVV-ja do t’i ketë 29 deputetë, LDK-ja 28, PDK-së së Kadri Veselit do t’i hiqet një deputet dhe do të mbetet me 24 vende.

    Ndërsa, AAK-PSD i hiqet një deputet, koalicioni mbetet me 13 vende. Kurse Lista Serbe s’ka ndryshuar asgjë pasi në Kuvend do të përfaqësohet me 10 deputetë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!