×
  • Lajme
  • Lajme / Reagim

    Vendimi i ZRRE’së, Hoti: S’ka asnjë arsye ekonomike që të rriten tarifat e energjisë, për keqardhje që s’kemi Qeveri efektive

    Reporteri
    16 Prill 2025 | 10:52

    Deputeti i zgjedhur i LDK’së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifat e reja, duke thënë se nuk ka asnjë arsye ekonomike për rritjen e tyre, shkruan Reporteri.net.

    Hoti ka thënë se tregjet e energjisë kanë qenë stabile dhe pritet të mbesin të tilla, pasi nuk ka të ngjarë se do të ketë  ndryshime në kërkesë dhe as në ofertë të energjisë.

    “Kjo pasi është bërë progres i madh në tranzicionin energjetik të shumë vendeve të BE-së për t’u pavarësuar nga gazi rus, që nënkupton se është stabilizuar oferta për energji dhe ka siguri shumë më të madhe të furnizimit. Në anën tjetër, janë bërë investime madhore në shumë vende në efiçiencë të energjisë, të cilat investime së paku e kanë bërë më të moderuar rritjen vjetore të kërkesës për energji. Si rezultat, stabiliteti në ofertë dhe në kërkesë për energji pritet t’i mbajë çmimet e energjisë relativisht konstante”, ka shkruar Hoti.

    Arsyeja tjetër, sipas tij, është që nuk ka asnjë logjikë që vit pas viti ndërmarrjeve të energjisë elektrike në Kosovë t’u pranohen humbjet, të cilat arrijnë në dhjetëra miliona euro, dhe të përfshihen në tarifat që paguajnë konsumatorët.

    “Çdo vit miratohet plani i investimeve në rrjet, kostoja e të cilit llogaritet në tarifat që paguajnë konsumatorët. Prandaj, është e natyrshme që humbjet e llogaritura të energjisë në rrjet të reduktohen vit pas viti, e jo të mbesin të njëjta, aq më pak të rriten. Gjithashtu, është e ditur se pagesat nga ana e konsumatorëve për energjinë e konsumuar  janë gjithnjë e më të rregullta, e cila gjë duhet të shpie në ulje të humbjeve të llogaritura dhe të reflektuara në tarifa”, ka deklaruar Hoti.

    Ai ka thënë se është për keqardhje që sot Kosova nuk ka Qeveri efektive që të trajtojë me profesionalizëm dhe kujdes maksimal vendime të tilla që prekin standardin e jetës së çdo familje.

    ZRRE ka bërë me dije se tarifat e reja të energjisë elektrike do të hyjnë në fuqi nga 1 maji, shkruan Reporteri.net.

    Në njoftim thuhet se tarifat me blloqe për konsumatorët shtëpiak dhe tarifat ditë-natë për të gjitha kategoritë e konsumatorëve do të përdoren për të nxitur konsumin efiçient të energjisë elektrike.

    “Këto tarifa për konsumatorët e rregulluar tarifor janë llogaritur dhe dizajnuar ashtu që brenda vitit relevant, të hyrat që priten të mblidhen nga këto tarifa do të jenë të barabarta me të Hyrat e Lejuara Maksimale të aprovuara nga Rregullatori, që reflektojnë rritjen lineare të tarifave të rregulluara prej 16.1 % për të gjitha kategoritë e konsumatorëve në kuadër të shërbimit universal. Këto tarifa do të hyjnë në fuqi nga 1 maj 2025”, thuhet në njoftim./Reporteri.net

    ZRRE: Tarifat do të hyjnë në fuqi nga 1 maji, do të përdoren për të nxitur konsumin efiçient të energjisë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!