×
  • Lajme
  • Lajme

    Vendimi ZRrE-së për bizneset, Ibrahimi: Një mik më mori në tefon e më tha se e mbylli fabrikën

    Reporteri
    02 Qershor 2025 | 13:36

    Drejtori Menaxhues i Klubit të Biznesit, Ilir Ibrahimi ka treguar një bisedë me një mik të tij lidhur me vendimin e fundit ku bizneset e mëdha nga 1 qershori kaluan në treg të hapur të energjisë, shkruan Reporteri.net.

    Brahimi tregon se një mik i tij e ka telefonuar duke i thënë se sot po e mbyllë fabrikën.

    “Vendimi i atyre që duhej t’i mbronin – që po ua shuan motivin për të jetuar e punuar këtu”, shkruan mes tjerash Ibrahimi në Facebok.

    Sipas tij, fabrikat po mbyllen, e që siç thotë ai dikur gumëzhinin nga puna, vetëm për shkak të një vendimi që ai e quan të paarsyeshëm, e i marrë “në zyrat e ftohta të pushtetit”.

    Postimi i plotë:

    Sot po nuk flas si përfaqësues i ndonjë shoqate, ode apo klubi biznesi.

    Sot flas si mik.

    Si njeri.
    Si dëshmitar i dhembjes që po përshkon një shtresë të tërë të shoqërisë tonë.

    Rrallë më ka rastisur të mbetëm pa fjalë dhe të mos gjej asnjë shprehje ngushëllimi kur një mik të merr ne telefon dhe të thotë se sot e mbylli fabrikën.
    Shumë të tjerë, ata që krijuan vende pune, mbajtën gjallë ekonominë, dhe besuan në këtë vend edhe atëherë kur askush tjetër nuk besonte, sot janë pa shpresë.

    Po flas për themeluesit e bizneseve, miq të mi, që sot po përjetojnë një lloj zhgënjimi më të thellë se çdo krizë ekonomike. Sepse nuk është një konkurrencë e huaj që po i gjunjëzon. Nuk është as ndonjë fatkeqësi natyrore. Është vendimi i shtetit të tyre – vendimi i atyre që duhej t’i mbronin – që po ua shuan motivin për të jetuar e punuar këtu.

    Sot po mbyllen dyert e fabrikave që dikur gumëzhinin nga puna. Jo për shkak të dështimit, jo për mungesë vizioni apo për mungesë përkushtimi – por për shkak të një vendimi të paarsyeshëm, të marrë në zyrat e ftohta të pushtetit, larg realitetit të biznesit dhe larg njerëzve që mbajnë gjallë këtë vend.

    Aty ku dikur kishte shpresë, sot ka heshtje. Aty ku kishte prodhim, sot ka dry. Dhe më e dhimbshmja nga të gjitha – aty ku kishte marrëdhënie, besim, bashkëpunim – sot ka lotë të fshehur dhe punëtorë që kthehen në shtëpi me duar bosh.

    Kjo nuk është vetëm krizë ekonomike. Kjo është krizë e ndërgjegjes.

    Dhe nëse nuk zgjohemi tani, nesër do të jetë vonë. Nuk ka shtet pa ekonomi. Nuk ka sovranitet pa sipërmarrës. Dhe nuk ka të ardhme pa njerëzit që e ndërtojnë atë çdo ditë me duar të ndershme dhe shpinë të përkulur nga puna.

    Zgjohu Kosovë. Sepse ata që po largohen sot, janë po ata që na mbajtën në këmbë dje. Dhe pa ta, nesër mbetemi bosh.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!