Kryeministri Albin Kurti është deklaruar edhe njëherë për nismën “Ballkani i Hapur”, të cilën ai e kundërshton fuqishëm.
Kurti ka përmendur deklaratën e Gabriel Escobar, të dërguarit të Presidentit Joe Biden për Ballkanin Perëndimor, se kjo nismë s’mund të ketë sukses nëse s’janë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Unë gjithmonë punoj dhe angazhohem për atë që Berlini dhe Washingtoni e kanë të përbashkët dhe mos harroni që edhe z.Escobar ka deklaruar që “Ballkani i Hapur” s’mund të ketë sukses nëse s’janë gjashtë shtetet. Aty tash tri shtete dhe janë dy vëzhguese. Kosova nuk është Më së shumti “Ballkanin e Hapur” e mbështet Serbia e më së shumti e kundërshton Kosova. Të tjerat janë mes dy këtyre pozicioneve”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka dhënë tri arsyet, që sipas tij, dërguan deri te krijimi i kësaj nisme.
“Le të mos të harrojmë se si ka nisur Ballkani i Hapur. Ballkani i Hapur ka nisur në tetorin e vitit 2019. Së pari kur VV i fitoi zgjedhjet për herë të parë dhe Beogradi u alarmua shumë. Së dyti u pa që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk do t’i çelen negociatat për anëtarësim dhe së treti si rezultat, Presidenti i Serbisë e ftoi edhe Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z.Rama dhe z.Zaev dhe iu tha ejani te unë në Beograd se nuk iu do Evropa juve. Në njëfarë mënyre ky është procesi i Novi Sadit. Unë nuk jam për procesin e Novisadit, unë jam për Procesin e Berlinit. Ajo ka filluar atje në Novisad dhe synimi është që të krijohen nisma rajonale sikur në shekullin 20, ku dominon Serbia”, ka deklaruar Kurti në Syri TV./Reporteri.net.