Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka kujtuar 20 vjetorin e marrëveshjes së Kumanovës ku Serbia pranoi humbjen e luftës në Kosovë.
Veseli ka shkruar në Facebook se pas 1 shekulli sakrifice e vuajtje të popullit tonë, ëndrra e madhe e lirisë po bëhej realitet, në ditën që Serbia u gjunjëzua dhe nënshkroi kapitullimin përfundimtar, shkruan Reporteri.net.
“Si sot 20 vjet më parë, në Kumanovë, Serbia u gjunjëzua, duke nënshkruar kapitullimin përfundimtar në luftën e Kosovës. Pas 1 shekulli sakrifice e vuajtje të popullit tonë, ëndrra e madhe e lirisë po bëhej realitet”, ka shkruar Veseli.
Marrëveshja është arritur pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë me radhë, si dhe pas përpjekjeve të ndryshme diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, gjatë të cilës mbi 10 mijë njerëz janë vrarë, rreth 5 mijë të tjerë të zhdukur dhe mbi 1 milion shqiptar të zhvendosur. Shkatërrimet materiale po ashtu kanë qenë masive.
Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Havijer Sollana, më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi rezolutën 1244, ku u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.
Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian.
Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.
Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. /Reporteri.net/.
Marrëveshja historike: 20 vjet më parë, Millosheviqit iu dha goditja përfundimtare