×
  • Lajme
  • Lajme

    Veseli falënderon aleatët e Kosovës: Ju ishit me ne në orën më të errët të historisë sonë

    Reporteri
    12 Qershor 2019 | 12:53

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha në ceremoninë qendrore për 20 vjetorin e çlirimit se liria e Kosovës është meritë e dëshmorëve të UÇK-së dhe ndihmës së madhe të SHBA-së.


    “Sot, ne festojmë 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës, duke pasur në mesin tonë miqtë më të mëdhenj të lirisë sonë, të kombit tonë, të atdheut tonë: Presidentin Clinton, Zonjën Sekretare Albright, Gjeneralin e Shpresës – Clark, përfaqësuesit e tashëm të administratës amerikane, përfaqësuesit nga shumica e vendeve mike të Kosovës”, tha Veseli.

    Ai tha se bota perëndimore në krye me SHBA-të para dy dekadash shpëtian kombin shqiptar.

    “Ju, 20 vjet më parë, shpëtuat një komb të tërë. Shpëtuat fëmijët e pastrehë dhe të frikësuar. Prindërit e pashpresë dhe të tmerruar. Nënat, gratë, vajzat e pambrojtura. Një popull të tërë nga gjenocidi. Dhe, mbi të gjitha, i dhatë kuptim vlerave njerëzore, për të treguar se askush, asnjëherë, nuk do të shtypet, nëpërkëmbet dhe rrezikohet vetëm pse tjetri mund ta bëjë këtë dhe është më i fortë. Garant i këtij humanizmi qëndron gjithmonë vendi i lirisë dhe demokracisë në botë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Veseli.

    Fjalimi i plotë i Kryeparlamentarit Veseli:

    I nderuar President Hashim Thaçi

    I nderuar Kryeministër Ramush Haradinaj

    I nderuar President i SHBA-ve, Bill Clinton

    Zonja Sekretare e Shtetit, Madeline Albright

    I nderuar Gjeneral Wesley Clark

    Z. Palmer

    Përfaqësues të vendeve mike

    Qytetarë të dashur të Kosovës,

    Sot, të gjithë qytetarët e vendit tonë, kudo që jetojnë, me sy, me mendje dhe me zemër janë me ne, në këtë shesh të Kryeqytetit tonë.

    Festojmë 20-vjetorin e çlirimit, 20 vjet liri.

    Sot, krahas gëzimit të madh, kujtojmë edhe sakrificën tonë kombëtare, mijëra jetë, të burrave dhe grave të Kosovës, të flijuara për lirinë tonë.

    Përulemi para tyre dhe i jemi falënderues përjetë sakrificës së tyre sublime.

    Lavdi e përjetshme të rënëve tanë për liri!

    Respekt për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për NATO-n e udhëhequr nga SHBA-të, për të gjitha vendet demokratike, për njerëzit e mirë kudo në botë.

    Sot është një ditë e veçantë.

    Është një ditë e mrekullueshme.

    Një ditë që do të mbetet përgjithmonë në kujtesë e kombit tonë.

    Sot, ne festojmë 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës, duke pasur në mesin tonë miqtë më të mëdhenj të lirisë sonë, të kombit tonë, të atdheut tonë: Presidentin Clinton, Zonjën Sekretare Albright, Gjeneralin e Shpresës – Clark, përfaqësuesit e tashëm të administratës amerikane, përfaqësuesit nga shumica e vendeve mike të Kosovës.

    I nderuar President Clinton

    Zonja Albright

    Gjeneral Clark

    20 vjet më parë, ju bëtë atë që në pak raste e ka parë historia e mbarë njerëzimit.

    U ngritët në këmbë për të shpëtuar një popull, që po përballej me shfarosjen, vetëm e vetëm pse donte të jetonte i lirë, si të gjithë popujt tjerë.

    Ju ishit me popullin tonë, në natën më të errët dhe në orën më të ligë të historisë së tij.

    Ne jemi sot këtu:

    Falë vendosmërisë suaj, si lider i botës së lirë.

    Falë vlerave mbi të cilat qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Falë ëndrrës së madhe të kombit amerikan për një botë të lirë e në paqe.

    Dhe NE, qytetarët e Kosovës, kombi ynë i ri, do t’ju kujtojmë përherë!

    Kosova do të jetë gjithmonë, kudo dhe kurdo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    I nderuar President Clinton

    Zonja Albright

    Gjeneral Clark

    Në shumë raste, madhështia e veprave njerëzore e tejkalon forcën e fjalëve për t’i shprehur ato.

    Por, atë që s’e bëjnë fjalët tona sot, e ndjejnë zemrat tona, e ndjen shpirti i një kombi të lirë që përkulet me respektin më të madh për Ju dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Ju, 20 vjet më parë, shpëtuat një komb të tërë.

    Shpëtuat fëmijët e pastrehë dhe të frikësuar.

    Prindërit e pashpresë dhe të tmerruar.

    Nënat, gratë, vajzat e pambrojtura.

    Një popull të tërë nga gjenocidi.

    Dhe, mbi të gjitha, i dhatë kuptim vlerave njerëzore, për të treguar se askush, asnjëherë, nuk do të shtypet, nëpërkëmbet dhe rrezikohet vetëm pse tjetri mund ta bëjë këtë dhe është më i fortë.

    Garant i këtij humanizmi qëndron gjithmonë vendi i lirisë dhe demokracisë në botë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Sot, Kosova është vend i lirë, demokratik, faktor stabiliteti e paqeje!

    Në këto 20 vjet liri, Kosova ka ecur shumë përpara.

    Jemi bërë shtet i pavarur e sovran, që beson e punon në një vizion të vetëm, në vizionin euro-atlantik.

    Në çdo hap që kemi hedhur, qëndron partneriteti i vazhdueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve mike perëndimore, në veçanti Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Japonisë, Francës, Italisë, dhe anëtarëve të Botës Perëndimore.

    Në këtë ditë të madhe, ne u shprehim atyre mirënjohjen e thellë dhe vendosmërinë tonë për të qenë pjesë e vlerave euro-atlantike.

    Lidhja e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Botën Perëndimore është më e madhe se partneritetet e zakonshme strategjike që lindin në marrëdhëniet mes kombeve.

    Lidhja e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimin është lidhje shpirtërore.

    Është besim i popullit tonë.

    Është bekim nga Zoti.

    Është vetë identiteti ynë shtetëror e kombëtar.

    Është ëndrra jonë e madhe që të jemi aty ku na takon, pjesë e Botës Perëndimore.

    I nderuar President Clinton

    Kosova e para 20 vjetëve, Kosova e sotme, Kosova e nesërme, ka qenë dhe do të mbetet trashëgimi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Të tillë do ta ruajmë përgjithmonë.

    Për lirinë tonë.

    Për paqen dhe fqinjësinë e mirë.

    Për një botë që merr kuptim nga idealet amerikane të lirisë e dinjitetit njerëzor.

    Të falemnderit, hero i kombit tonë!

    Gëzuar përjetë lirinë, Kosovë!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!