×
  • Lajme
  • Lajme

    Veseli: Kosova ka shumë dëshmi për gjenocidin serb, përfshirë faktet nga arkivat serbe

    Reporteri
    20 Maj 2019 | 11:22

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në seancën për nisjen e themelimit të Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Koosvë, ka thënë se Kosova ka fakte të pamohueshme, madje edhe nga arkivat serbe që dëshmojnë për krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë.


    “Kosova ka fakte, dëshmi dhe dëshmitarë të bollshëm. Duke u nisur nga e vërteta që e kemi parë dhe përjetuar vetë ne, familjet tona, kombi ynë. Kosova ka aq shumë dëshmitarë të gatshëm për të dëshmuar, përfshirë edhe ata që kanë marrë pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në këto krime. Po flas për kryesit e tyre të penduar! Po flas për ata që kanë parë masakrat, dinë për to, kanë qenë pjesë e tyre, që janë marrë me varrime, zhvarrime e bartje kufomash. E them me përgjegjësi të plotë: Kosova ka dëshmi! Kosova ka shumë dëshmi!”.

    Ai ka shtuar se Kosova posedon shumicën dërrmuese të dëshmive që faktojnë gjenocidin serb dhe ka të dhëna të mjaftueshme për të dëshmuar planifikimin, organizimin dhe ekzekutimin shtetëror të gjenocidit serb mbi shqiptarët dhe joserbët në Kosovë.

    “Formën si ka ndodhur, kohën, vendin e saktë dhe kryesit e tyre. Një për një mund të dëshmohen, faktohen dhe dokumentohen. Kosova ka pothuajse në tërësi, si dokumente, planet ushtarake dhe policore serbe, platformën, bartësit e tyre dhe ekzekutuesit e këtyre krimeve makabre. Kosova ka fakte, dokumente nga arkivat serbe, se si janë tentuar të fshihen gjurmët e krimeve shtetërore serbe nga krerët politikë e ushtarakë. Kosova ka edhe lista të ekzekutimeve të shqiptarëve, të dokumentuara me dëshmi zyrtare serbe. Shumë nga këto dëshmi i ka pasur në dispozicion edhe UNMIK-u dhe Tribunali i Hagës, të dorëzuara nga Kosova para shpalljes së pavarësisë”.

    Në fund, ai ka thënë se deputetët tani duhet të vendosin vetë nëse do t’i thonë “PO” iniciativës për themelimin e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë, apo do t’i thonë “PO” heshtjes, shpërfilljes dhe mohimit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!