Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i PDK-së, Kadri Veseli ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të votojë për shpërbërjen e vet dhe të caktohet data e zgjedhjeve, në mënyrë që vendi të shkojë sa më shpejtë në zgjedhje.
“Mos t’i maltretojmë qytetarët, është koha e vendimmarrjes. I kisha thirr kolegët e mi të partive politike, të mblidhemi në Kuvend, duhet të ndodh shpërbërja e Parlamentit, të merremi vesh për datën e zgjedhjeve”, tha Veseli.
Veseli në mbledhjen e Këshillit Drejtues ka thënë se partia që ai e udhëheq do t’i fitojë zgjedhjet për ta ndryshuar Kosovën.
“PDK do të jetë fituese e zgjedhjeve, jo thjesht për ta mbrojtur dhe garantuar qëndrueshmërinë e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës, të cilën e kemi detyrë patriotike dhe kushtetuese. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet, për ta ndryshuar Kosovën. Ne nuk luftojmë të fitojmë vetëm një palë zgjedhje, Partia Demokratike e Kosovës lufton të fitojë Kosova, për të mos lejuar që të tjerët ta dështojnë Kosovën”, tha Veseli.
I pari i PDK-së foli edhe për situatën politike të krijuar pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.
“Kryeministri ka dhënë dorëheqje. Dorëheqja e Kryeministrit ishte e pa konsultuar. Por jo edhe e papritur! Vendim ‘ad-hoc’ dhe befasues për të tjerët, por jo edhe i papritur dhe pa kalkulim partiak të paramenduar nga kryeministri tani i vetëlarguar”, tha Veseli.
Këtyre deklaratave të Kadri Veselit, i ka duartrokitur njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri.
“Bravo per Kadri Veselin. Lajm shumë i mirë, qëndrim prej shtet-formuesi, përkushtim. Me këtë s’ka nevojë të shkohet në konsultime të Presidenti Hashim Thaçi dhe nuk ka nevojë as shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të dorëheqjes së Kryeministrit Ramush Haradinaj”, ka shkruar Tahiri.