×
  • Lajme
  • Lajme

    Veseli në Shtime: PDK jo veç parti, fuqi dhe perspektiva e shtetit

    Reporteri
    22 Maj 2019 | 23:15

    Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka qëndruar në Shtime në një aktivitet promovues për kryetarin e zgjedhur të PDK-së në Shtime, Rrahman Jakupi dhe strukturat e reja të kësaj dege.


    Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe zëvëndëskryetari Enver Hoxhaj, nënkryetarët, Hajredin Kuqi dhe Memli Krasniqi, zëvendësministri Fehmi Mujota, kryetari Komunës së Shtimes Naim Ismajli, deputeti Fatmir Xhelili, këshilltarë të Kuvendit të Komunës, drejtorë të drejtorive etj.

    Tubimin e ka hapur kryetari Jakupi, i cili ka përshëndetur të pranishmit, ndërsa ka falenderuar në veçanti kryetarin e mëparshëm të PDK-së në Shtime, Fehmi Mujota, nënkryetarin dhe kryetarin e Komunës, Naim Ismajli si dhe deputetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fatmir Xhelili për kontributin dhe përkrahjen.

    Ai poashtu ka shpalosur edhe vizionin për udhëheqjen në mandatin e tij si dhe ka kërkuar që të gjithë pa dallime të jenë të bashkur për të ndihmuar PDK-në jo për shkakun e tij, mirëpo për shkak se Kosovës i duhet PDK-ja, vendit tonë i duhet PDK-ja.

    “Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Shtime, do të jetë një shtëpi ku të gjithë ndjehemi rehat, të jemi fjalë mirë, të përkrahim njëri-tjetrin e të japim nga vetja.” ka shtuar kryetari Jakupi.

    Ai ka përmendur edhe themelimin e Tribunalit Hetimor dhe përmendi dy raste, humbjen e foshnjës 8 muajshe nga Ranca, Albiona Asllani si dhe rastin e Maskrës së Reçakut dhe shtoi se ka përkrahjen e Degës së PDK-së për këtë vendim, i cili do t’i bëjë të ndjehen të lehtësuar familjet kur të vendoset drejtësia në vend.

    Me këto fjalë Jakupi edhe ka mbyllur takimin “Tani kur PDK në Shtime dhe Qendër me sukses përfundoi zgjedhjet e brendshme dhe presim rezultatet që do jenë frytdhënëse për faktin se në Konventën e ardhshme nuk do të votohet vetëm për kryetarin e ri të PDK-së, por edhe për Kryeministrin e ardhshëm të Kosovës që është z.Kadri Veseli.

    ”Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka falenderuar kryetarin Jakupi për pritjen si strukturat e reja të Degës së PDK-së në Komunën e Shtimes, para të cilave e ka paraqitur vizionin e tij për të ardhmen në Dekadën e Re.

    “Zgjedhjet në PDK ishin një shembull për demokracinë, një shembull për angazhimin e mijëra kuadrove të reja të cilët e duan Kosovën dhe e duan zhvillimin e saj nëpërmjet kontributit në PDK. Ishin zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat në dhjetëra nëndegë kishin pjesëmarrje të mbi 300 delegatëve. Nga 39 degë sa ka Partia Demokratike e Kosovës, deri tani kemi zgjedhur strukturat e reja në 37 degë. Sot jemi këtu në Shtime, ku PDK ka fituar tash e 20 vite dhe edhe si parti fituese, të gjitha strukturat me unanimitet të plotë kanë zgjedhur një kryetar të ri të Degës, për çka jemi shumë të kënaqur. PDK nuk është thjeshtë vetëm një parti. Është fuqi e shtetit të Kosovës, është perspektiva e këtij shteti, është e ardhmja e Kosovës. PDK ka vizion shumë të qartë në atë çfarë do sepse e din se çfarë duan qytetarët e Kosovës”, ka thënë Veseli.

    Veseli tha se PDK tani pas zgjedhjeve partiake fillon jetësimin e platformës së saj Dekada e Re e cila ka vizion të qartë për zhvillimin e vendit, për rininë novatore të Kosovës.

    “Këtë do ta bëjmë përmes një koncepti i cili është i pastër, kombëtar. I cili është novator, intelektual, i ndërmarrësisë, përmes politikave zhvillimore ekonomike ku duhet të forcohet shteti ligjor, me masa të cilat do të jenë të veçanta në luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Por në të njëjtën kohë me masa të cilat janë shumë novatore, të transformimit, të modernizimit të shoqërisë sonë, duke u dhënë mundësi gjithë atyre njerëzve që kanë ide dhe mundësi për ta quar këtë vend përpara”, ka deklaruar Veseli. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!