×
  • Lajme
  • Lajme

    Veseli pas takimit me Lajçakun: Kosovës i duhet një marrëveshje finale me Serbinë

    Reporteri
    14 Tetor 2020 | 13:30

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe Çështje të tjera Rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.


    Siç njofton kumtesa për media nga PDK-ja, gjatë këtij takimi, Veseli dhe përfaqësuesi i BE-së, Lajçak, kanë folur për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    “Me këtë rast, kryetari Veseli ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës e mbështetë procesin e dialogut dhe është e vetmja që ka propozuar një platformë për këtë çështje. Sipas tij, PDK konsideron që marrëveshja finale me Serbinë është interes strategjik i Kosovës për anëtarësim në BE dhe në OKB”, theksohet në kumtesën e PDK-së.

    “Është inkurajues pozicioni i përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak, që në emër të Bashkimit Evropian ka një agjendë të qartë për ta përmbyllur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me një marrëveshje finale. Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdoj që si opozitë të jap kontributin e saj, ku si bazë mbështetje ka vullnetin e qytetarëve dhe Kushtetutën”, citohet të ketë thënë Veseli.

    Veseli ka folur edhe për nevojën e një koordinimi më të drejtpërdrejt me SHBA-të.

    “Partia Demokratike e Kosovës mbështet vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që është në përputhje me platformën tashmë të njohur të saj, e cila garanton njohjen e ndërsjellë, sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, karakterin unitar të shtetit dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, përfundo njoftimi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!