Kadri Veseli kishte votuar pro krijimit të të ashtuquajturës Gjykatë Speciale, që do të merret me krimet e supozuara të kryera nga UCK-ja, gjatë luftës. Kryetari i PDK-së, përveç se vet votoi për këtë gjykatë, njëjtë vepruan edhe bashkëpartiakët e tij. E për të shtyrë përpara procesin e themelimit të këtij tribunali special kishe punuar fort Hashim Thaçi, që në kohen kur u votua në Kuvend ligji për Dhomat e Specializuara ishte Ministër i Jashtëm i Kosovës. Sot, Thaçi e Veseli janë emrat e parë që bëhen publik si të akuzuar nga kjo gjykatë.
Hashim Thaçi kishte insistuar fort që deputetët e atëkohë partisë së tij ta votojnë themelimin e të ashtuquajturës Gjykatë Speciale, përmes votimit në Kuvend të ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit Special për Kosovën.
E më 3 gusht 2015, insistimit të shefit të tij të partisë, që atëkohë ishte Ministër i Jashtëm, Hashim Thaçit, iu përgjigj pozitivisht Kadri Veseli, që ishte deputet i PDK-së në Kuvend.
Veseli votoi Pro krijimit të këtij tribunali, sikurse shumica e deputetëve të PDK-së, për dallim nga bashkëpartiakët, Ganimete Mursliu, Flora Brovina, Nait Hasani e Fadil Demaku që votuan kundër, e Rafet Rama që abstenoi, shkruan Reporteri.net.
Kundër themelimit të Gjykatës Speciale ishin tri partitë të atëhershme opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.
Gati 5 vite pas votimit, Gjykata Speciale ka nisur të formatizojë aktakuzat ndaj ish-krerëve të UCK-së. Deri më sot ka njoftuar për ngritjen e 3 prej tyre, por që se kush janë të akuzuarit ende nuk ka njoftuar. Përveç dy prej tyre.
Të mërkurën, Gjykata Speciale ka njoftuar se aktakuzë është ngritur ndaj Hashim Thaçit, ish-drejtorit politik të UCK-së, sot President i Kosovës, dhe ndaj Kadri Veselit, ish-shefit të Zbulim Kundër-Zbulimit në UCK, sot kryetar i PDK-së.
Në njoftim kuptohet se në aktakuzën që Zyra e Prokurorit të Specializuar dorëzoi në Gjykatë më 24 prill të këtij viti, e që pret konfirmimin nga gjyqtari parapenal, përfshihen edhe të akuzuar tjerë, por emrat e të cilëve nuk janë bërë publik ende.
Në njoftim sqarohet se pse ka ndodhur kjo, shkruan Reporteri.net.
Sipas Speciales, Thaçi e Veseli kanë bërë përpjekje për ta sabotuar fshehurazi procesin, duke përmendur këtu edhe iniciativën për shfuqizimin e kësaj gjykate.
“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim THAÇIT dhe Kadri VESELIT për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së. Besohet se z. THAÇI dhe z. VESELI kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, z. THAÇI dhe z. VESELI kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për Kosovën.
Sipas njoftimin të ZPS-së dy ish-eprorët e UCK-së Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli po akuzohen nga Gjykatë Speciale për rreth 100 vrasje, në mesin e tyre edhe vrasjet politike.
“Më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Në Aktakuzë pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”, thotë njoftimi.
Sipas kumtesës, “Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat”.