×
  • Lajme
  • Lajme

    Vetëm fotografi i Kurtit i shpenzoi mbi 9 mijë Euro në SHBA, 109 Euro më shumë se Kryeministri

    Reporteri
    28 Qershor 2022 | 17:54

    Fotografi i Zyrës së Kryeministrit në Qeverinë e Kosovës, Patrik Domi ka shpenzuar mbi 4 mijë euro gjatë “vizitës” 18 ditore të Qeverisë Kurti në SHBA.

    Në të dhënat e shpenzimeve të udhëtimit në SHBA të delegacionit kosovar i udhëhequr nga Kryeministri Kurti, që Gazeta Online Reporteri.net i ka siguruar nga ZKM-ja përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, rezulton fotografi i Kryeministrit, Patrik Domi, ka shpenzuar 109 euro më shumë se vet Kurti. 9,413.39 Euro në total shpenzime janë regjistruar vetëm për Domin, derisa 9,304.80 Euro tjera janë regjistruar si total i shpenzimeve për Kryeministrin Albin Kurti.

    Fotografi i Zyrës së Kryeministrit ka marrë mëditje 1,963.50 Euro, 4,324.67 Euro për akomodimin e tij, 3,047.95 Euro për biletat e udhëtimit dhe 77.27 Euro për shpenzime tjera, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Nga ana tjetër, krejt shëtitjet, vizitat e takimet në SHBA, nga Kalifornia në Illinois, Midwestern, New York, Washington DC, etj., Kurti vet i gjashti i shpenzoi mbi 36 mijë Euro në total.

    Delegacioni, sipas të dhënave të Zyrës së Kryeministri del të ketë qenë i përbërë nga 6 zyrtarë të shtetit: Kryeministri i Kosovës Kurti, shefi i kabinetit Luan Dalipi, Këshilltarët Tien Mu, Arun Singh Chaudhary, dhe Lulzon Jagxhiu, si dhe fotografi Patrik Domi.

    Vetëm Kryeministri Kurti del se gjatë 18 ditëve të qëndrimit në SHBA ka shpenzuar në total 9,304.80 Euro. 4,279.00 Euro atij i shkuan vetëm për bileta udhëtimi, kurse 4,853.68 Euro për akomodim. Ndërsa, sipas të dhënave të përcjella në ZKM-ja, Kurti shpenzoi vetëm 172 Euro e 12 centë për shpenzime tjera, duke hequr dorë edhe nga mëditjet.

    Njëjtë si shefi i tij nuk veproi Luan Dalipi. Shefi i stafit të Kurtit del se i mori 1 mijë e 617 Euro mëditje për udhëtimin në SHBA. 4,770.97 Euro të buxhetit të shtetit del se shkuan për akomodimin e Dalipit përtej Oqeanit Atlantik. 108.22 Euro shpenzime tjera dhe 2,984.75 Euro tjera për bileta udhëtimi, që në total e kapin shifrën 9,480.94 Euro.

    Sikurse Dalipi, para për mëditje mori edhe fotografi i Kurtit, Patrik Domi. Madje, mbi 200 euro më shumë sesa ai. Për Domin, sipas të dhënave të ZKM-së, u dhanë 1,963.50 Euro mëditje, 4,324.67 Euro për akomodimin e tij në SHBA, 3,047.95 Euro për biletat e udhëtimit, e vetëm 77.27 Euro për shpenzime tjera. Krejt këto në total rezultojnë të jenë 9,413.39 Euro shpenzime.

    Udhëtimi në SHBA i këshilltarit amerikan të Kurtit, Arun Singh Chaudhary, për ta shoqëruar shefin kosovar në vendlindjen e tij, buxhetit të shtetit të Kosovës i kushtoi 2,970.40 Euro në total. Pak më pak sesa kushtoi shoqërimi i Kurtit në SHBA nga Tien Mu. Për këtë të fundit u bënë 2,921.19 Euro në total shpenzime. Derisa, për këshilltarin e tretë që e shoqëri Kurtin në SHBA, Lulzon Jagxhiu, u dhanë 2,631.75 Euro nga buxheti i shtetit. /Reporteri.net/.

    Kurti vet i gjashti i shpenzoi mbi 36 mijë Euro për “vizitën zyrtare” në SHBA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!