×
  • Lajme
  • Lajme

    Vetëm gjatë muajit tetor 54 kosovarë humbën jetën si pasojë e COVID-19, u infektuan mbi 4 mijë të tjerë

    Reporteri
    31 Tetor 2020 | 20:32

    Që nga 1 tetori e deri më 31 tetor, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, si pasojë e COVID-19 kanë vdekur 54 persona dhe janë regjistruar 4,179 raste të reja pozitive.


    Dita e parë e muajit tetorit regjistroi një numër relativisht të ulët në krahasim me shifrat e rasteve të reja ditore me coronavirus gjatë stinës së verës.

    Më 1 tetor u shënuan dy raste të vdekjes dhe u konfirmuan vetëm 43 raste pozitive brenda 24 orëve të fundit, ndërkaq u shëruan 123 pacientë të prekur me COVID-19, shkruan Reporteri.net.

    Numri total i rasteve pozitive ishte 15,663 raste dhe 627 raste të vdekjes.

    Rënia e rasteve të reja po vazhdonte dita-ditës, sa që më 8 tetor u konfirmuan vetëm 33 raste të reja, ndërsa nuk humbi jetën asnjë pacient i infektuar.

    Tetë ditë më vonë, numri i rasteve të reja u rrit, ku vetëm brenda 24 orëve të fundit u konfirmuan 104 raste të reja dhe vdiqën dy persona.

    Që nga ajo ditë, si duket po fillonte një valë e re e coronavirusit në Kosovë, pasi që rastet pozitive ditore ishin gjithmonë mbi 100, shkruan Reporteri.net.

    E rekordi i rasteve të reja pozitive për 24 orë në Kosovë që nga fillimi i pandemisë, u shënua ditën e shtunë, kur u konfirmuan gjithsej 514 raste pozitive nga 1,750 testime të bëra.

    Po ashtu edhe tre pacientë humbën betejën me coronavirusin duke e çuar kështu shifrën totale të vdekjeve në 681.

    E krahas rritjes së numrit të rasteve ditore, u morën edhe disa masa të reja për parandalimin e përhapjes së virusit nga Qeveria e Kosovës.

    Ndër masat që Ministria e Shëndetësisë në krye me Armend Zemajn ka marrë është edhe kufizimi i orarit të veprimtarisë të sektorit të gastronomisë, shkruan Reporteri.

    Zemaj ka njoftuar se të gjithë ata që ofrojnë shërbime në sektorin e gastronomisë, do t’u ndalohet veprimtaria nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.

    Ai njoftoi se ky orar vlen edhe për të gjitha qendrat tregtare.

    Ministri i Shëndetësisë po ashtu njoftoi se si masë tjetër personat me sëmundje kronike dhe ata mbi moshën 60 vjeçare do të lirohen nga puna në zyrë, personat mbi moshë 65 vjeçare u lejohet  dalja nga ora në 06:00-10:00 dhe ora 16:00-19:00. Jashtë këtij orari, ata mund të dalin vetëm për nevoja shëndetësore.

    Ai bëri të ditur se ligjëratat në universitete do të mbahen online, derisa tha se po ashtu është e domosdoshme të reduktohet numri i stafit në nivelin qendror dhe lokal në institucionet publike dhe private.

    Deri më tash numri total i rasteve pozitive në Kosovë sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike është 19,842 raste nga 94,456 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 681 raste të vdekjes.

    Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 15,520 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3,641. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!