Vetëm një ditë para se të arrestohej nga Gjykata Speciale, ish-zëdhënësi i UÇK-së dhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kishte publikuar në Facebook një poezi therëse përmes së cilës kërkohej drejtësi.
Nuk dihet se kujt ia kushtoi Krasniqi këtë poezi. Ai ka publikuar një ditë para arrestimit të tij poezinë “Pakdrejtësi, o njerëz”
Kjo është poezia që e publikoi ai:
PAK DREJTËSI, O NJERËZI
Pak drejtësi kemi aq më pak njerëzi
Kur lart na udhëheq ndonjë shpirtzi!
Ju përgjërohem thellë o miqtë e mi
Në këtë kohë të rëndë me pandemi!
Janë ca tipa të vegjël po dhe axhaminj
Ama drejtësinë ç’e bëjnë si pazarxhinj
Nuk lënë gjë pa bërë veç për një pronë
Kot i ndalon tani është bërë goxha vonë!
Sikur nata sikur dita për këta matrapazë
Pandemia po vazhdon për ta edhe cazë
Pak drejtësi për vete dhe për timin komb
Po nuk respektove tëndin je veç një snob!
Bletët në koshere të huaja përditë shkojnë
Mendojnë si mjaltin për vete ta grumbullojnë!
Tokën që e punuam në kohë të vështira
Përse e lamë krejt djerrë në kohë të lira?
Dijen e shkencën përse aq pak i duam?
Librat nga bibliotekat a thua ku i çuam?
Sallave të fitnesit të gjithë janë harlisur
Pa mend a thua ç’duhen muskujt e stisur?
Të hesht nuk dua drejtësi vargjeve kërkoj
Të lulëzuar atdheun tim thjesht e dëshiroj!/Reporteri.net