Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas vendimit të Ambasadës së SHBA-ve për tërheqje nga monitorimi i procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorëve dhe anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Hoti ka thënë se është i shqetësuar nga ky vendim derisa ka thënë se vërejtjet e Ambasadës Amerikane duhet të merren seriozisht, shkruan Reporteri.
Kryeministri është shprehur se vetëm një proces transparent, pa asnjë konflikt interesi apo ndikimi politik, siguron përzgjedhje mbi baza të meritës.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Drejtësisë, po punon në reformën në drejtësi, përfshirë vettingun.
“Jam thellë i shqetësuar nga vendimi i Ambasadës së SHBA-ve për tërheqje nga monitorimi i procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorëve dhe anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Shqetësimet e tyre duhet të merren seriozisht.
Vetëm një proces transparent, pa asnjë konflikt interesi apo ndikimi politik, siguron përzgjedhje mbi baza të meritës.
Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Drejtësisë, po punon në reformën në drejtësi, përfshirë vettingun. Ky proces do të sigurojë një sistem të drejtësisë transparent, me llogaridhënie të brendshme dhe kontroll reciprok”, ka shkruar kryeministri Hoti.
Ndryshe, në një reagim të lëshuar sot nga Ambasada Amerikane thuhet se procesi i përzgjedhjes është prishur me themel meqenëse u mungon transparenca dhe ka konflikte interesi.
Si pasojë e një situate të tillë, Ambasada e SHBA-së ka njoftuar se nuk do të vazhdojë të monitorojë një proces të tillë. /Reporteri.net