×
  • Lajme
  • Lajme

    Vetëvendosje kritikoi LDK-në për përjashtimin e Osmanit por, njëjtë veproi edhe vetë me disa nga anëtarët e saj

    Reporteri
    21 Qershor 2020 | 11:11

    Anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë ditës së djeshme reaguan pas shkarkimit të Vjosa Osmanit nga pozitat partiake në Lidhjen Demokratike të Kosovës.


    Ndër anëtaret e VV-së që i dolën në mbrojtje Osmanit janë, Arbërie Nagavci, Fatmire Mulhaxha Kollçaku e Haki Abazi, shkruan Reporteri.net.

    Propozimi për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga këto pozita erdhi nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, drejtuar Këshillit të Përgjithshëm të partisë me arsyetimin se Osmani doli kundër qëndrimeve të partisë, duke mos votuar qeverinë e kryeministrit aktual, Avdullah Hotit.

    E ky shkarkim nga VV u konsiderua si shkelje e fjalës së lirë e demokracisë.

    Por edhe vetë VV në vitin 2015 kishte përjashtuar nga organet e partisë anëtarët Ajnishahe Halimi dhe Arben Gecaj, shkruan Reporteri.net.

    Ata u përjashtuan me arsyetimin se shkelën statutin e partisë.

    “Anëtarët Ajnishahe Halimi dhe Arben Gecaj me paraqitjet e tyre publike kanë shkelur Nenin 24, paragrafi 1, Pikën c të Statutit – përkitazi me respektimin e parimeve, dokumenteve themeltare të Lëvizjes Vetëvendosje; Pikën ç – lidhur me pranimin e vendimeve të shumicës dhe respektimin e mendimit ndryshe; dhe pikën e – lidhur me mospërfshirjen në aktivitete apo sjellje që janë komprometuese për Lëvizjen Vetëvendosje, e që e cenojnë imazhin e saj”, thuhej në njoftimin e VV-së.

    Pas shkarkimit, Ajnishahe Halimi atë botë kishte akuzuar sekretarin organizativ të atëherëshëm, Dardan Molliçaj dhe disa anëtarë të Kryesisë për hartim politikash diktatoriale, fyerje të njerëzve dhe marrje në pyetje të anëtarëve të partisë.

    Po ashtu edhe Alban Regjepaj është përjashtuar nga Lëvizja Vetëvendosje në degën në Zvicër në janarin e vitit 2016.

    Ai u përjashtua nga VV me arsyetimin se shpifi, ofendoi dhe sabotoi qëllimisht aktivitetet e LVV-së në Zvicër.

    Edhe Valdrin Ahmeti është shkarkuar nga pozita e Drejtuesit të Sekretariatit për Logjistikë dhe IT në kuadër të Sekretariatit të përgjithshëm të VV-së.

    Shkarkimi i tij erdhi pasi Komisioni Disiplinor e gjeti fajtor atë për veprat “Abuzim në detyrë” dhe “Keqpërdorim mjetesh dhe tentativë për përvetësim të mjeteve të Lëvizjes Vetëvendosje”.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!