×
  • Lajme
  • Lajme / Rezultatet e zgjedhjeve

    Vetëvendosje lë shumë prapa me vota partitë e tjera edhe në Mynih

    Reporteri
    27 Shkurt 2025 | 19:50

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i votave të mërgatës që kanë votuar nëpër përfaqësitë diplomatike.

    Nga votat në njërin prej vendvotimeve në Konsullatën e Kosovës në Mynih të Gjermanisë, shumica e votave shkojnë për Lëvizjen Vetëvendosje.

    Nga 762 vota, partia e Albin Kurtit, ka marrë 614, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    E dyta është Partia Demokratike e Kosovës e cila ka marrë 76 vota.

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 45 vota, kurse Koalicioni për Kosovën Fituese ka marrë 21 vota.

    Numërimi i votave të mërgatës nga votimi nëpër përfaqësitë diplomatike pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme.

    Kështu ka deklaruar për Reporteri.net zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

    Ai ka thënë se pas përfundimit të numërimit të këtyre votave, do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi përmes postës.

    “Aktualisht janë duke u numëruar votat nga votimi në përfaqësitë diplomatike, në ndërrimin e pasdites do të mbesin 11 vendvotime të cilat pritet të përfundojnë sonte. Rezultatet nga numërimi i sotëm së shpejti do të shfaqen në platformën elektronike. Pas tyre do të fillojmë me numërimin e votave të mërgatës që kanë votuar nëpërmjet postës”, ka thënë Elezi.

    Sipas të dhënave të KQZ-së janë rreth 69 mijë pako me fletëvotime nga votimi me postë, por janë aprovuar 62 mijë e 990 sosh.

    Numërimi i votave të diasporës, pason me numërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

    Vota me kusht janë 12 mijë e 801, ndërsa numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2,597./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!