Më 30 korrik do të dihet rreth fatit të kontratës Vala-Zmobile. Këtë e ka konfirmuar për Express gjatë ditës drejtori menaxhes i Telekomit Bedri Istrefi. Ai tha se nuk mund të jap më tepër informacion nëse do të shkëputet apo vazhdohet kontrata me kompaninë private Z-Mobile.
E në orët e vona deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë dalë me reagime, duke kërkuar që Kontrata e Telekomit me Z-Mobile të mos vazhdohet.
“Asnjë kusht nuk është i pranueshëm. Kontrata e Telekomit me Z-Mobile duhet të mosvazhdohet. Çdo negociim për vazhdim është i papranueshëm. 30 korrik #Fund”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, deputeti Liburn Aliu.
Një reagim të tillë e ka bërë edhe bashkëpartiaku i tij, Glauk Konjufca.
Ai ka thënë se negocimet me kushte janë alibi për vazhdimin e dëmtimit të Telekomit.
“Po flitet në media se Telekomi i paska vendosur disa kushte Z-mobile për t’ia vazhduar kontratën. Drejtuesit e Telekomit duhet ta kenë parasysh se Kontrata e Telekomit me Z-Mobile duhet të mos vazhdohet. Pikë. Negocimet me kushte janë alibi për vazhdimin e dëmtimit të Telekomit. Nuk ka asnjë kusht që vlen në këtë drejtim. 30 korrik #Fund”, ka shkruar Konjufca.