×
  • Lajme
  • Lajme / 8 Maji

    Vetëvendosje zyrtarizon futjen në garë në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, garon me tre kandidatë për deputetë

    Reporteri
    03 Prill 2024 | 9:22

    Këshilltari i Albin Kurtit dhe kandidati për deputet në Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje do të ketë tre kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 8 majit në Maqedoninë e Veriut.

    Kandidatët do të jenë pjesë koalicionit VLEN.

    “Lëvizja VETËVENDOSJE! do t’i ketë tre kandidatë për deputetë, me koalicionin VLEN. Ne do të jemi pjesë e fitores që VLEN!

    Në Njësinë Zgjedhore 1, kandidate me numrin 6 në listë do të jetë znj. Nafie Selmani. Në Njësinë Zgjedhore 2, kandidate me numrin 6 në listë do të jetë znj. Medine Ukshini. Ndërsa në Njësinë Zgjedhore 6, kandidat me numrin 2 në listë do të jem unë, Bekim Qoku”, shkruan Qoku në profilin e tij Facebook.

    Ai shton se në Maqedoninë e Veriut Lëvizja VETËVENDOSJE! ka shumë aktivistë dhe simpatizantë.

    Në këtë mënyrë Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar  përfshirjen në garën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili është edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, parti e cila është akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, kishte thënë se partia e tij nuk është e regjistruar si subjekt politik në RMV.

    Ai gjithashtu kishte deklaruar se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut.

    Lëvizja e Kurtit, mori pjesë edhe në zgjedhjet në Shqipëri, më 25 prill 2021, por pa arritur ndonjë rezultat për t’u theksuar. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!