Publicisti Veton Surroi është propozuar si kandidat i Kosovës për Sekretar të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) për periudhën 2022-2024. Kështu të paktën raporton “Kosovo Online” nga gjoja burimet diplomatike.
Në dokumentin të cilin mediumi në gjuhën serbe “Kosovo Online”, thotë se e posedon, Qeveria e Kosovës ia ka dërguar këtë propozim Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnjë dhe Hercegovinës, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
Në atë dokument, sipas portalit, thuhet Surroi është i njohur në rajon për përkushtimin e tij për paqen dhe pajtimin, si dhe për aspiratat evropiane dhe euroatlantike të popujve të Evropës Juglindore.
Gjithashtu thuhet se në tri dekadat e kaluara, ndër të tjera, Surroi ka treguar kapacitetet e tij si themelues i gazetës “Koha ditore” dhe KTV-së si media e pavarur dhe profesionale, si dhe në procesin e negociatave në Rambuje në vitin 1999 dhe procese të tjera.
Surroi ka qenë deputet nga viti 2004 deri në vitin 2007, ndërsa nga prilli i vitit 2021 është edhe këshilltar qeveritar në negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
“Qeveria e Kosovës i ofron mbështetje të plotë Surroit dhe është e bindur se ai është personi i duhur që mund të vazhdojë vizionin e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe do ta vlerësonte lartë mbështetjen e konsiderueshme të Qeverisë së Bosnjës dhe Hercegovinës për kandidaturën e Veton Surroit për këtë pozitë”, thuhet në dokument.
Këshilli për Bashkëpunim Rajonal promovon bashkëpunimin e ndërsjellë dhe integrimin evropian dhe euroatlantik të Evropës Juglindore me qëllim të inkurajimit të zhvillimit në rajon për të mirën e qytetarëve të tij.
RCC u formua zyrtarisht më 27 shkurt 2008 si pasues i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore.
Deri më tani, funksionin e Sekretares së Përgjithshme të KBR-së e mbante Majlinda Bregu, ish-ministrja shqiptare për Integrimin Evropian, e cila e mori këtë funksion më 4 janar 2019./Reporteri.net/