Një aksident me fatalitet ka ndodhur sot në rrugën magjistrale Kaçanik – Hani i Elezit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli tha për gazetën online Reporteri.net se një person ka vdekur si pasojë e aksidentit.
“Ju njoftojmë se me datën 29.11.2024 rreth orës 07:30 kemi pranuar një informatë se në rrugën magjistrale Kaçanik-Hani Elezit, tek vendi i quajtur “Kulla me qeshmë” , ka ndodhur një aksident komunikacioni rrugor, ku është përfshirë një veturë. Ekipe të policisë, zjarrfikësit dhe ambulanca kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Nga hetimet e para mësohet se një veturë Nissan, derisa ka qarkulluar në magjistralen Kaçanik – Hani Elezit, në rrethana ende të pasqaruara ka humbur kontrollin mbi automjet dhe ka dalë jashtë rrugës, duke rënë në humnerë disa metra”, tha ai.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Njësia e Hetimeve të Aksidenteve, e cila po e heton rastin.
Gjithashtu, Veseli tha se për të gjitha veprimet e policisë është njoftuar prokurori i shtetit.
Është publikuar edhe një fotografi nga vendi i ngjarjes ku dyshohet se ndodhi vet aksidenti. Makina shihet komplet e shtypur derisa në vendin e ngjarjes kanë dalë policia dhe zjarrfikësit./Reporteri.net/