Policia e Shqipërisë njofton se një i dyshuar tentoi të dilte nga Shqipëria, ndërkohë që ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga autoritetet e Italisë, për organizatë kriminale dhe emigracion të paligjshëm. Me këtë rast, është arrestuar me qëllim ekstradimin, 27-vjeçari nga Kosova.
“Krahas angazhimit maksimal për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe me etikë, për qytetarët në hyrje/dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë kanë vijuar punën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pkk”, njofton Policia shqiptare.
Në këtë kuadër, thuhet tutje, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe “si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe autoriteteve italiane, u kap dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht”.
Njoftimi i Policisë në Shqipëri
L. A., 27 vjeç, banues në Istog, Kosovë.
Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në dalje të vendit, rezultoi se 27-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet Italiane, pasi Gjykata e Triestes, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Emigracioni i paligjshëm”, sipas parashikimeve të legjislacionit penal të Italisë.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Itali, vijon procedurat për ekstradimin e 27-vjeçarit.