Katër anëtarë të një familjeje nga Kosova kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku që ka ndodhur pak minuta më parë në “Rrugën e Kombit”, në Shqipëri.
Një i katërt anëtarë i mitur i të njëjtës familje është në gjendje të rëndë dhe po trajtohet në Spitalin e Traumës në Tiranë, shkruan Reporteri.net.
Gazeta Online “Reporteri.net”, nga burime të saj merr vesh se kush janë të aksidentuarit.
Në aksident kanë humbur jetën B.A. (45 vjeç). bashkëshortja e tij A.A. (33) dhe dy fëmijët e tyre M.A. (5) dhe K.K (11).
11 vjeçare mësohet se është nip i familjes.
Ndërsa fëmija tre vjeçar i tyre V.A. është në gjendje të rëndë në spital, shkruan Reporteri.net.
Sipas pamjeve, në këtë aksident janë përfshirë një veturë tip “Citroën” me të cilën udhëtonin familja 5 anëtarëshe, e cila u përplas me një kamion në “Rrugën e Kombit”.
Sipas të dhënave paraprake dyshohet se makinat janë përplasur kokë më kokë. Në këtë pjesë të Rrugës së Kombit mungon ndriçimi dhe dyshohet se ka ndikuar në shkaqet e aksidentit, si dhe lagështia në rrugë.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie, ambulanca dhe zjarrfikësit.
Njoftimi i policisë:
Lezhë/Informacion paraprak
Në aksin rrugor Milot-Morinë, në afërsi të një karburanti në Rreshen, mjeti tip “Citroen” me të cilin udhëtonte një familje kosovare është përplasur me mjetin tip kamion me drejtues shtetasin I.I.,banues në Kosovë.
Për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi i mjetit tip “Citroen” , bashkëshortja e tij dhe 2 fëmijët dhe është plagosur fëmija i mitur, i cili është transportuar në spitalin e Traumës Tiranë.
Grupi hetimor në vendngjarje punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes.