Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se angazhimi i Kosovës është i palëkundur që të dalin para drejtësisë personat që kryen dhunime seksuale gjatë luftës së fundit.
Në platformën X, ajo ka shpërndarë një video të sajën derisa ishte duke folur në OKB.
“Në këtë Ditë Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, ne vazhdojmë të nderojmë guximin dhe qëndrueshmërinë e atyre që kanë duruar tmerre të papërshkrueshme nën regjimin gjenocidal të Millosheviqit. Këto gra dhe burra të guximshëm na kujtojnë detyrën tonë të përbashkët për t’i dhënë fund përdorimit të dhunës seksuale si një armë lufte”.
“Sot, ne shohim të mbijetuar në Kosovë që e transformojnë dhimbjen e tyre në veprim të fuqishëm, duke frymëzuar të tjerë të panumërt në kërkimin e drejtësisë. Angazhimi ynë është i palëkundur: duhet t’i nxjerrim autorët para drejtësisë dhe të sigurojmë që mizori të tilla të mos përsëriten kurrë!”, ka thënë Osmani.
On this International Day for the Elimination of Sexual Violence in Conflict, we continue to honor the courage and resilience of those who have endured unspeakable horrors under Milosevic's genocidal regime. These brave women and men remind us of our shared duty to end the use of… pic.twitter.com/2wDT55IVCX
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) June 19, 2024
Gjatë ditës edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka inkurajuar viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit, që të thyejnë heshtjen.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se Serbia gjatë viteve 1998-99 ka përdorur dhunën seksuale si armë lufte, teksa ka shtuar se ky është krim jo vetëm ndaj individit por ndaj gjithë shoqërisë.
“Gjatë viteve 1998 – 99, në Kosovë dhuna seksuale është përdorur si armë lufte nga Serbia. Ky është krim jo vetëm ndaj individit, por ndaj gjithë shoqërisë. Andaj ka lënë pasoja të thella dhe të gjëra.
Në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, bëjmë thirrje për solidaritet nga familjet dhe shoqëria. Është detyrim yni i përbashkët t’i përkrahim të mbijetuarat. Të jemi zë i fuqishëm e krah i fortë. Sot dhe përherë.
Në kujtim të viktimave që kanë humbur jetën, përkulemi me respekt. Nderojmë të mbijetuarat për forcën e qëndresën e tyre. Angazhohemi për mbështetje institucionale dhe për drejtësi”, shkroi ai.
Kryeministri më tej ka njoftuar se përmes ndryshimit të ligjit është zgjatur afati për aplikim për njohjen e statusit, viktimë e dhunës seksuale, deri më 15 maj 2025.
“Përmes ndryshimit të ligjit e kemi zgjatur afatin për aplikim për njohjen e statusit, viktimë e dhunës seksuale të luftës, deri më 15 maj 2025. Duke ua njohur vuajtjet grave dhe vajzave, burrave dhe djemve të mbijetuar, ne i inkurajojnë që të thyejnë heshtjen për këtë krim lufte”, u shpreh Kurti. /Reporteri.net/
Kurti: Viktimat e dhunës seksuale në luftë të thyejnë heshtjen, angazhohemi për drejtësi