Raportuesja për Kosovën në Parlamentit Europian, Viola von Cramon, ka deklaruar sot se Kosova po përdoret për fushatën elektorale të presidentit Donald Trump, për zgjedhjet që do të mbahen në fund të këtij viti.
Cramon shfaqe skepticizëm për një marrëveshje të mundur mes Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e SHBA, transmeton Reporteri.net.
“Ne e dimë se kjo mundësi në Shtëpinë e Bardhë është kruciale për gjithçka që do të jetë më pas. Mesa shihet s’ka të bëjë me marrëveshje të madhe përfundimtare, por ka të bëjë me marrëveshje ekonomike. Kosova do të instrumentalizohet për kampanjën elektorale të Trump. Është me rëndësi për të bëhet një lloj publiciteti”, ka thënë ajo.
Ajo, ndër të tjera, thotë se duhet dialog para njohjes dhe, sipas saj, s’ka tjetër përveç atij të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Duhet dialog para njohjes, s’ka tjetër përveç dialogut përmes BE-së, për të cilën presidenti i Kosovës është pajtuar. Ky është sinjal i mirë për popullatën që e pranojnë Lajçakun edhe pse vjen nga një vend që s’e njeh Kosovën. Ka qenë e vështirë për të gjithë ju ta pranoni. Shpresojmë që dialogu më shumë të shihet nga rezultati sesa nga pikëpamja historike”, ka shtuar Raportuesja për Kosovën në BE.
Sidoqoftë, i dërguar i Amerikës, Richard Grenell, është shprehur mjaft i sigurt se Kosova dhe Serbia do të arrijnë një marrëveshje ekonomike që, sipas tij, do të hapte rrugën për dialogun politik, transmeton Reporteri.net.