×
  • Lajme
  • Lajme / Kritika

    Visar Azemi i LDK-së: Hekuran Murati, ministri më i paaftë

    Reporteri
    07 Prill 2024 | 16:48

    Kanë vazhduar edhe sot reagimet nga zyrtarët e LDK-së lidhur me sondazhin e fundit të realizuar nga “UBO Consulting”, e të publikuar nga gazeta online Reporteri.net të premten, ku kjo parti radhitet e treta, derisa VV në vend të parë e PDK e dyta.

    Visar Azemi, anëtar i kryesisë të LDK-së ka shkruar në Facebook se derisa pushteti krekoset me shifrat e përqindjet e sondazheve siç i quan ai të porositura, ai është marrë me numrat që thotë se e shpërfaqin realitetin e  Qeverisë Kurti.

    Ai thotë se këto shifra nuk janë të porositura, por burojnë nga Thesari i Shtetit, dhe e pasqyrojnë paaftësinë e ministrave për t’i realizuar investimet kapitale në vitin që shkoi.

    Azemi shkroi tutuje se ministri i Financave, Hekuran Murati është “fitues në garën mes ministrave më të paaftë”, shkruan Reporteri.net.

    Postimi i tij:

    Derisa pushteti krekoset me shifrat e përqindjet e sondazheve të porositura, le t’i trajtojmë pak numrat që e shpërfaqin realitetin e kësaj qeverisjeje. Këto shifra nuk janë të porositura, por burojnë nga Thesari i Shtetit, dhe e pasqyrojnë paaftësinë e ministrave për t’i realizuar investimet kapitale në vitin që shkoi.

    Shkojmë me “sondazhin” më të ri për ministrat më të dobët në realizimin e investimeve kapitale gjatë vitit 2023.

    – Ministri më i mirë nga ministrat më të dobët është ai i Financave, Hekuran Murati, i cili ka arritur t’i realizojë pak më shumë se gjysmën e investimeve kapitale, veç 52%. Muratit, që i pëlqejnë shumë grafikat që flasin për “sukseset e Qeverisë”, ia falim edhe këtë grafikë që e nxjerr fitues në garën mes ministrave më të paaftë.

    – Vendin e dytë e ndajnë me nga 51% Arben Vitia i Shëndetësisë dhe Albulena Haxhiu e Drejtësisë. Kjo dyshe kanë menduar që shkalla e realizimit të investimeve kapitale duhet të jetë e njëjtë me përqindjen e partisë në zgjedhjet e fundit, pra kanë besuar që duhet t’i realizojnë vetëm projektet e elektoratit të tyre.

    – Në vend të tretë, pa i realizuar as gjysmën e investimeve kapitale, me 44%, është Rozeta Hajdari e Tregtisë, sigurisht e asistuar nga Ridi i Bukë e Zemër. Përqindja e saj do të ishte më e lartë sikur të mos kishte humbur shumë kohë nëpër gjykata, sikur të mos ishte aq e zënë duke arsyetuar aferat në ministri dhe sikur të mos kishte shumë punë në luftën kundër bizneseve.

    – Afër saj me 42%, në vendin e katërt është ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq. Edhe ai do të ishte më mirë sikur shefi i tij ta linte më shumë të mirrej me Veriun e komunitetin serb, por non stop i ka qëndruar në territor.

    – Kurse, në vend të fundit, në vendin e pestë, duke mos e kaluar pragun, është ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli.

    Kjo renditje paraqet rast unik në rajon e botë pasi që një pushtet që i thur vetes lavde për rritje ekonomike të lartë, ka ministre të ekonomisë dike që mezi realizon 11% të investimeve kapitale brenda një viti. Me këtë, Kosova bëhet shteti i vetëm në botë që ka rritje ekonomike aq të lartë me realizimin e minimumit të projekteve kapitale 🤦🏻‍♂️

     

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!