Vitia për rritjen e rasteve: Ne nuk i kemi ikur përgjegjësisë asnjëherë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka folur për situatën me pandeminë që ka kapluar vendin tonë, ku sipas tij, në muajt e verës, ka qenë një qetësi epidemiologjike, dhe kjo ka ardhur si pasojë e masave të cilat i ka miratuar Qeveria në muajin prill.


Ai u pyet se a mund t’i marr meritat edhe për rritjen e numrit të infektimeve në vend, ndërsa Vitia thotë se asnjëherë nuk i kanë ikur përgjegjësisë.

“Numri është shumë më i vogël, natyrisht ne nuk i kemi ikur përgjegjësisë asnjëherë. Në prill kur i kemi marr masat kanë kontribuar për një qetësi të tillë. Por prapë po e përsërisë, me variantin Delta ka ndryshuar komplet situata me pandeminë.

Ne nuk kemi paraparë që në një kohë kaq të shkurtë të kemi rritje kaq eksplozive të të hospitalizuarve dhe të të infektuarve. Por me variantin Delta është paraparë një situatë e tillë, ku numri i të hospitalizuarve është 2.5 herë më i madh sesa varianti i parë. Ky variant nuk po kursen as moshat e reja e as ato pediatrike që kanë çuar në një numër kaq të madh të të infektuarve në Kosovë”, tha ministri Vitia në emisionin “Kallxo Përnime”.