Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila ka folur për vizitën e të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar këtë javë në Prishtinë për të diskutuar lidhur me çështjen e dinarit, e për të cilën ajo tha se mund të diskutohet lehtësimi i konvertimit apo i afateve të proceseve të konvertimit, por që siç tha ajo në Kosovë ka vetëm një valutë, e që është euro, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Escobar ka qenë dhe mbetet i angazhuar seriozisht në procesin e dialogut si i deleguari i DASh në dialogun Kosovë-Serbi, andaj shqyrtimi i këtij procesi është i zakonshëm do të thoja në raport me vizitën e itj. Në raport me qëndrimet, çështja e dinarit apo përdorimi si valutë për pagesë të brendshme, është e qartë se lehtësimi i konvertimit apo afatet e proceseve të konvertimit mund të diskutohet, për arsye se në Kosovë është një valutë që është euro, përderisa të gjitha valutat tjera konvertohen”, tha ajo.
Lidhur me kërkesën për dërgim të draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, Kusari-Lila tha se Kosova mbetet e organizuar në normalizim të situatës në komunat veriore, pasi siç theksoi ajo ka tendencë për tensione.
“Sa i përket kërkesës për dërgim të draft-statutit të Asociacionit në Kushtetuese, mbetemi të organizuar në normalizimin e situatës në katër komunat në veri. Kohë pas kohe atje ka tendencë për tensione, sulmi ndaj pronave të nënkryetares së Zveçanit ishte një indikacion. Periudhat e ardhshme në përafrim të procesit zgjedhor mund të pasohen me sulme të tilla të orkestruara nga grupet kriminale të dirigjuara nga Beogradi, prandaj e shohim të rëndësishme stabilitetin dhe sigurinë”, shtoi ajo.
Se a është VV e gatshme për zgjedhje të reja, Kusari-Lila tha para gazetarëve se si parti janë në funksion të atyre që na dhanë mandatin, e nëse duhet një konfirmim, atëherë janë gati.
“Sa i përket procesit zgjedhor të gjitha partitë politike e dinë që në momentin kur ato caktohen, ato marrin pjesë dhe janë të gatshme. Jemi në funksion të atyre që na dhanë mandatin, dhe nëse një situatë e tillë duhet të rikonfirmohet, natyrisht se jemi gati”, tha Kusari-Lila, derisa sa i përket implementimit të vendimit të pronës së Manastirit të Deçanit, në këmbim për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës, shefja e deputetëve të VV-së tha se nuk ka informata lidhur me këtë.
“S’kam informata se është bërë një kërkesë e tillë nga Qeveria e Kosovës, adresa është Qeveria e Kosovës”, tha ajo./Reporteri.net/
Escobar viziton Kosovën këtë javë për të diskutuar për dialogun dhe dinarin