×
  • Lajme
  • Lajme / Foto/Video

    Vizita e Thaçit në spital tek babai i sëmurë, oborri i QKUK-së mbushet me Policë special dhe të EULEX-it

    Reporteri
    13 Mars 2025 | 12:40

    Ish-presidenti Hashim Thaçi ndodhet sot në Kosovë për të vizituar babain e tij në QKUK për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

    Nën shoqërimin e forcave të shumta të EULEX-it, mëngjesin e së enjtes, Thaçi u soll në QKUK, ku prit me thirrjet “UÇK-UÇK” të cilët edhe i përshëndeti me dorë.

    Derisa vizita tek babai i tij po vazhdon, forca të shumta të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it ndodhen në oborrin e QKUK-së.

    Numri i qytetarëve që tashmë janë mbledhur është shtuar, të cilët presin për ta parë nga afër ish-presidentin Thaçi.

    Thaçit i ishte refuzuar disa herë kërkesa nga Specialja për ta vizituar babain e tij, i cili tani ka disa javë që ndodhet i shtrirë në QKUK për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

    Nga Dhomat e Specializuara në Hagë thanë për Reporteri.net se vizita e tij u lejua për arsye bindëse humanitare.

    “Për arsye humanitare bindëse, Trupi Gjykues dhe Gjykatësja e Procedurës Paraprake kanë udhëzuar Zyrën Administrative që të menaxhojë një vizitë nën mbikqyrje në Kosovë të Hashim Thaçit për ta takuar babain e tij. I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara”, tha zëdhënsi Michael Doyle për Reporteri.net.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!