Me qellim ose pa qellim, Lëvizja Vetëvendosje ia ka arritur që pas zgjedhjeve të nxisë tensione brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë me të cilën synon të bëjë koalicion qeverises.
Dhe këtë e ka bërë duke tentuar të përzihet në debatin e LDK-së se kush duhet të mbajë cilën pozitë. Kryesisht këtë e ka bërë duke e lartësuar figurën e Vjosa Osmanit e nënvlerësuar të tjerët, shkruan Reporteri.net.
Një konflikt, i hapur madje, ka ndodhur mes dy nënkryetarëve të LDK-së, Agim Veliut dhe Vjosa Osmanit.
Ndonëse të dy këta nuk shquheshin për raporte të mira edhe më herët, ato u tensionuan javëve të fundit.
Konflikti i parë ndodhi kur Veliu pa takime të shpeshta të Osmanit me kreun e VV-së, Albin Kurti.
Sipas tij, “rastësitë” e Vjosa Osmanit me Kurtin janë kthyer në përditshmëri. Ai kishte lënë të kuptohet se, nëpërmjet mesazhit me rastin e regjistrimit në Kuvend, ish-kandidatja për kryeministre do që ta vërë në presion LDK-në, për të lidhur marrëveshje koalicioni me LVV-në.
“Ajo duhet t’u japë sqarim votuesve të LDK-së se çka po do të japë mesazh me këto rastësi. Sipas gjykimit tim, nëse dikush merr obligime që nuk i takojnë, aty komplikohet situata”, ka thënë Veliu. “Ne është dashtë me i bë presion atij (Kurtit v.j.), me punu sa më shumë, në mënyrë që sa më shpejt me u bo qeveria. Pra, që ai me e ofru ofertën dhe LDK-ja me vendosë se a është e pranueshme apo jo”.
Nuk kishte vonuar përgjigja e Osmanit.
“Për më tepër, z.Veliu le të harrojë që atij i jap sqarime. Raporti im është me votuesit, të cilët presin nga ne të jetësojmë vullnetin qytetar të 6 tetorit për ndryshim”, kishte thënë Vjosa Osmani, duke iu kundërpërgjigjur kolegut partiak.
Veliu, sipas burimeve të Reporteri.net, është një prej insistuesve në LDK që të mos leshohet pe për postin e presidentit. Për këtë madje është akuyuar edhe nga vetë VV-ja, se po tenton të bllokojë marrëveshjen qeverisese.
Konflikti i radhës burim pati një deklaratë të nënkryetarit të VV-së, Glauk Konjufca. Në një debat në Tv Dukagjini ai tha se në planin B, vetëm Vjosa Osamni do të ishte e pranueshme për ta, si presidente.
“Mendoj që përderisa jemi në opsionin A dhe ky opsion është presidenti jashtë bisedave, unë mendoj se është kot të flasim për emra. Nëse shkojmë në opsionin B të zgjidhjes dhe hyn edhe presidenti atëherë Lëvizja Vetëvendosje mendoj se nuk ka kurrfarë problemi me emrin e Vjosa Osmanit si presidente e Republikës së Kosovës në kuptimin e asaj çka ajo besoj se do të performonte”, tha ai në Dukagjin.
Kjo deklaratë nxiti reagime në LDK. Nënkryetari i kësaj partie, Agim Veliu Lëvizja Vetëvendosja nuk ka të drejtë në asnjë moment që ta përcaktojë se kush do të jetë president i vendit nga radhët e LDK-së.
“Nuk ka të drejtë në asnjë moment VV-ja me përcaktu kandidatin e LDK-së se kush do të jetë as president e as në kurrfarë pozicioni tjetër. Po besoj që ky deklarim nuk ka qenë aq i meqëm i Konjufcës në këtë fazë kur po bëjmë përpjekje për ndërtimin e koalicionit për ndërtimin dhe mirëbesimit dhe thjeshtë kjo është një lloj ndërhyrje në politikat e brendshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë Veliu për Insajderin, duke konfiurmuar edhe një herë se LDK-ja nuk ka emër për president, në këtë kohë.
Vetëvendosje kishte provuar të ‘sulmojë’ edhe zzrtarë tjerë të LDK-së, por duke e kursyer Osmanin. Lutfi Haziri kishte qenë shpesh cak. Para zgjedhjeve, VV-ja kishte targëtuar Hazirin si ‘fajtorin’ që të mos ndodhë koalicioni parazgjedhor mes VV-se dhe LDK-së.
Edhe pas zgjedhjeve, Haziri ishte sulmuar nga njerez të VV-së, duke i thënë se po punon kundër koalicionit dhe duke ia kujtuar miqësitë që ka me PDK-në./Reporteri.net