×
  • Lajme
  • Lajme

    Vjosa Osmani dikur thoshte nëse nuk do të jetë në LDK do ta lë politikën

    Reporteri
    31 Dhjetor 2020 | 12:00

    Vjosa Osmani në fillim të muajit janar pritet ta zyrtarizojë Iniciativën e saj ku edhe përfundimisht do t’i ndajë rrugët me partinë që bëri emër, LDK-në.


    Osmani që aktualisht mban pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentes, ka nisur tashmë “gjahun” për ta dobësuar LDK-në, dhe deri tani ka prezantuar ca “transferime” nga Malisheva e Gjilani, zyrtarë që më parë kanë qenë në LDK por i janë bashkuar rrugëtimit të Osmanit.

    Por Vjosa Osmani vite më parë kishte dhënë një deklaratë të fortë vite më parë në emisionin “Debat Plus”, ku ishte e ftuar me Lumir Abdixhikun.

    Osmani prerazi dhe forcërisht kishte thënë se nëse nuk është në LDK, ajo do të largohet përfundimisht nga partia.

    “Krejt karriera ime politike lidhet me LDK-në dhe do të lidhet vetëm me LDK-në, kurrë asnjëherë me asnjë parti tjetër. Në ditët që unë nuk jam në LDK, nuk jam më as në politikë. Kaq. Aty unë e përfundojë karrierën time politike”, kishte thënë Osmani, shkruan Reporteri.net.

     

    Por nëse kihet parasysh kjo deklaratë vërtetohet se Vjosa Osmani nuk po i qëndron prapa fjalës së dhënë.

    Ajo është larguar nga LDK, por karrierën e saj politike po e vazhdon. Osmani është duke biseduar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të kandidojë me Iniciativën e saj në listën e VV-së për deputete. Kjo është konfirmuar nga të dyja palët.

    Faton Peci nga Iniciativa Qytetare e Vjosa Osmanit, ka konfirmuar se janë në bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje sa i përket arritjes së një marrëveshjeje të mundshme bashkëpunimi.

    “Brenda pak ditësh – në fillim të janarit do ta bëjmë të qartë përbërjen e listës, parimet programore, logon… Do të bëhen të qarta të gjitha në javën e parë të janarit. Personaliteti i Osmanit do të jetë përcaktues se kush do të jetë kryeministër i ardhshëm”, është shprehur Peci, njofton Klan Kosova.

    “Jemi në diskutime me LVV dhe ka shumë të ngjarë që ta kemi një koalicion parazgjedhor. Jemi të fokusuar në shumë pika, më kryesorët nëse shkojmë me partneritet parazgjedhor apo paszgjedhor me LVV. Aspekti i dytë është se synojmë të jemi dy subjekte të ndara që hymë në një garë të përbashkët dhe aspekti i tretë janë çështjet programore”, ka deklaruar Peci. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!